Celibashi dhe Shefja e Zyrës së KiE ndoqën votimin e simuluar të maturantëve “Qemal Stafa”

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Celibashi dhe Shefja e Zyrës së KiE, Gützkow ndoqën nga afër votimin e simuluar me maturantët e gjimnazit “Qemal Stafa”, votues për herë të parë.

Pjesë e eventit ishte dhe shefja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gützkow si dhe drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase.

Komisioneri Celibashi theksoi në fjalën e tij rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të maturantëve që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

“Shpresoj që ju do t’i transmetoni këto njohuri që keni përfituar gjatë programit edhe të familjarët dhe shokët tuaj jashtë shkollës. Do t’ju ftoja edhe njëherë që të ushtroni këtë të drejtë dhe mundësi që ju është ofruar për të vendosur për të ardhmen tuaj”, u shpreh komisioneri.

Ai falenderoi gjithashtu Këshillin e Europës, Akademinë e Studimeve Politike dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për bashkëpunimin që bëri të mundur të zbatimit të programit të informimit të maturantëve që votojnë për herë të parë, edhe në situatë të pandemie.

Drejtuesja e zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gützkow, ftoi të rinjtë që të jenë gjithmonë të angazhuar në proceset zgjedhore, por edhe qytetarë aktivë për të siguruar nivelin e duhur të demokracisë funksionale.

Ndërsa, drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, zbatuese e këtij programi, Erjon Tase nënvizoi në përshëndetjen e tij: “Sot, po finalizojmë programin e edukimin dhe ushtrimit praktik të votimit për rreth 35 mijë maturantë në të gjitha shkollat e vendit. Jemi të kënaqur të shikojmë një informim dhe interes të rritur të të rinjve edhe në zonat më të largëta për risitë e sistemit zgjedhor dhe votën preferenciale”.

Më pas të ftuarit ndoqën nxënësit votues për herë të parë, të cilët organizuan një proces të stimuluar votimi në klasën e tyre për tre kandidatë dhe morën role përkatëse si komisionerë,vëzhgues etj. Nëpërmjet këtij ushtrimi synohet praktikimi i tyre me procedurën e votimit duke evituar parregullsitë e mundshme në ditën e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e datës 25 prill do të votojnë rreth 107 mijë të rinj dhe për të informuar të rinjtë mbi procesin zgjedhor  si dhe ndërgjegjësuar ata për rëndësinë e ushtrimit të drejtës së  votës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar një program edukimi në të gjitha shkollat e mesme publike në vend.

Ky program është zbatuar nga Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe me mbështetjen e Këshillit të Europës, në kuadër të asistencës për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.