“Bizneset e vogla, taksa dhe TVSH zero”/ Basha është një lloj dardhe që ka dy bishta mbrapa

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, të gjitha bizneset e vogla i kanë taksat dhe TVSH-në zero.

Duke folur në një takim me qytetarë të njësisë 2 në Tiranë, Rama tha se, “do doja të numëroja rast pas rasti viktimat potenciale të këtij zëri, që thotë ‘jeta është shumë e bukur, mjafton ti të më japësh votën'”.

“Por s’po e bëj të gjithë zinxhirin. Po ndalem tek të gjithë tregtarët e Pazarit të Ri, këtu dhe tek të gjithë tregtarët e Shqipërisë se nuk diskutohet këtu ka të majtë, këtu ka të djathtë, megjithëse kjo fjala e djathtë është si djathi. Këta të gjithë këtu e kanë taksën zero. E kanë sot. Edhe TVSH-në e kanë zero. Tani më thoni ju tani mua se çfarë tregtari është se tregtar domethënë që ku të kapësh ndonjë klient pa mendje t’ia shtosh ndonjë gjë, jo që ti të bësh llogarinë edhe llogaria të dali që ti taksën e ke zero, TVSH-në e ke zero, votën ia jep Lulit, që ta bëjë ai 0.5. Po pse 0.5 për shembull”, tha Rama.

“Le që njëherë s’është 0.5. Se Luli është një lloj dardhe që bishtin e ka mbrapa. Edhe dy bishta mbrapa, s’ka një. Dy gishta, një dardhë, dy bishta”, tha Rama.

“Se dardhën e Lulit e ka provuar Tirona. Ju kujtohet apo kur shkonte tek furra e bukës atje tek Rruga e Elbasanit, i thoshte atij furrxhiu më shih në sy se ja unë kam ardhur këtu të të shoh në sy dhe ja do vij prapë. Unë do vij prapë. Ne do ta ulim çmimin e bukës. Ti do fitosh më shumë. Si do fitonte më shumë ai duke ulur ky çmimin e bukës. Kandidat për kryetar bashkie dilte me bukë në dorë, ju kujtohet. Do ul çmimin e bukës. Jua ka rritur Edi Rama çmimin e bukës. S’e ç’punë kisha unë me çmimin e bukës? Dhe i kthehej atij që blinte bukën. Ti i thoshte do ta paguash më lirë dhe do hash më shumë bukë. Domethënë ky do ta shiste më lirë do fitonte më shumë. Ky do hante më shumë bukë, do paguante më pak. E gjen dot njeri këtë ekuacion sesi është”, theksoi Rama.

“Kur ne vumë taksën zero, e vumë përpara, shumë përpara, hyri në fuqi në janar. Dhe unë bëja gjëegjëza me Lalin dhe këta të tjerët dhe thoja ore që ky do bëjë një premtim më të fortë se kjo unë nuk e diskutoj, por jam shumë kurioz si do ta uli poshtë zeros. E uli. E di çfarë i thotë. Do t’i jap 1 mijë euro në muaj çdo biznesi të vogël. O Rrapushi këtu. 1 mijë euro në muaj çdo biznesi të vogël. Ti më jep votën, unë të jap 1 mijë euro në muaj. Ti 1 votë, unë 12, një mijë euroshe”, tha Rama.

“Tani duhet të jesh vërtet një njeri që të harrosh sesi e ke hapur dyqanin, sesi e mban dyqanin, sesi lufton përditë për atë dyqan që t’ia bësh hallall të djathtës, të gjithë këto të papritura që të presin rrugës. Se Tirona e ka provuar 4 vjet e lloci. Filluan prapë gropat, dolën prapë plehrat, filloi të gërhasë qyteti që vraponte, e vraponte, e vraponte”, u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.