Basha nga Korça: 25 prilli fitorja e çdo shqiptari, fitorja e qytetarisë

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur turin e takimeve ditën e sotme në qytetin e Korçës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Basha tha se edhe 4 ditë na ndajnë nga fitorja më e madhe në historinë e Shqipërisë.

Kreu i opozitës garantoi të gjithë banorët që për 8 vite u gënjyen nga premtimi për legalizimet falas dhe e dëgjuan planin e Edi Ramës për t’iu marrë votën, për t’iua prishur pa dëmshpërblim 100 mijë shtëpi shqiptarësh, do të marrë fund me votën për numrin 9 më 25 prill.

“25 prilli i ndryshimit! 25 prilli i fitores do të jetë fitorja e çdo shqiptari do të jetë fitoja e qytetarisë, do të jetë fitorja e Korçës, fitorja më e thellë në historinë e Shqipërisë. Sepse vëllezër dhe motra 8 vite të vështira kanë lënë vragat më të thella në trupin e Korçës dhe të Shqipërisë tonë kjo perlë e qytetarisë, ky djep i arsimit, i dijes, i kulturës, i artit, i punës. Ky vend që ka lindur burra e gra që na bëjnë krenar ndër shekuj, 8 vite me radhë është përdorur dhe keq përdorur, shpërdoruar sikur të ishte oborri i lodrave të një njeriu dhe një grushti njerëzish të cilët janë pasuruar te fëmijët  e korçarëve, vuanin për bukë, një grusht njerëzish të babëzitur për të grabitur gjithçka teksa rinia korçare largohej në emigracion”, tha Basha.

“8 vite dështime, 8 vite ngecje në vend, 8 vite izolim, nuk mbaruan as rrugën që e gjetën gati me projekt e financim Qukës – Qafë-Plloçë, e bredh tani 4 ditët e fundit fshat më fshat për të premtuar aeroporte. Janë ditët e fundit, sepse të dielën ia kthejmë Korçën korçarëve, ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Këto vite lëngate kanë shkaktuar vuajtje të pafundme. Ato kanë qenë sfida të mëdha për familjet shqiptare e në veçanti për nënat tona, për motrat tona, bashkëshortet, gratë, vajzat tona dhe rininë të cilët kanë ndierë në palcë dhimbjen e largimit të bijve tanë më të mirë në emigracion, të cilat kanë vuajtur papunësinë, të cilat kanë vuajtur pamundësinë e shkollimit dhe arsimit të fëmijëve të tyre e më pas të punësimit të tyre me dinjitet. E pra, pas tetë vitesh dështime, tetë vitesh gënjeshtra e keqja përsëri merr guximin të trokas në dyert, në portat fisnike të Korçës dhe të korçarëve”, theksoi Basha.

“Ju them sot, Korça e ka marrë vendimin. Korça ja ka mbyllur derën së keqes. Korça e ka hapur zemrën për ndryshimin që vulosim të dielën duke votuar numrin 9. Duke votuar numrin 9. Duke votuar numrin 9. 9 për fëmijët korçarë, dritën e syrit të prindërve të tyre. 9 për rininë e mrekullueshme të Korçës që do të bënte krenarë çdo qytet në Evropë, çdo qytet në botë. 9 për nënat tona që ti fshijnë lotët e dhimbjeve e t’ju kthejmë gëzimin në sy bashkë me punësimin, mirëqenien, dinjitetin. 9 për pensionistët shqiptarë të cilët në tetë vite janë më të papaguarit e Ballkanit ndërkohë që qeveritarët u zhytën në luksin më të pa parë”, shtoi Basha.

“Vëllezër dhe motra si shndrin ky diell, shndrin besimi, bindja, fitorja në sytë e Korçës, në sytë e mbarë Shqipërisë. E shoh dhe prek kudo në takime masive si ky, nga jugu në veri. E shoh në sytë e çdo shqiptari edhe të socialistëve që kanë vendosur të bëhen pjesë e këtij bashkimi të madh dhe të votojnë dhe ata për ndryshimin. Sepse fitorja e 25 prillit do të jetë fitorja më e thellë e çdo shqiptari. Ajo do t’i takojë çdo familje shqiptare, çdo të riu, çdo të reje korçare dhe shqiptare. Do të jetë dita kur vota juaj do të rikthejë një qeveri të njerëzve dhe për njerëzit. Do të jetë dita kur ne do të bëjmë realitet fuqinë e demokracisë, fuqinë e votës duke dalë masivisht për të votuar numrin 9. Nuk ka të mbaruar ardhja e njerëzve në këtë bulevard. Nuk ndalet marshimi ynë, krah për krah drejtë fitores, drejtë ndryshimit”, u shpreh Basha.

“Nga Korça anembanë Shqipërisë, nga Konispoli në Vermosh, le ta kthejmë gëzimin në zemrat tona, le ta marrim fatin tonë në duart tona. Masivisht, ditën e diel, çdo i ri dhe e re korçare, ju bukuri, ju krenari e Korçës dhe e gjithë Shqipërisë, për shkollimin tuaj, për arsimin tuaj, për punësimin tuaj, për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, për hapjen e negociatave në 100 ditët e para të qeverisë sonë votoni numrin 9. Për prindërit tuaj, për rritjen e pensioneve, për t’jua fshirë lotët, për t’iu dhënë mundësinë ju të jeni pranë tyre me ta, të punoni e të fitoni në Korçën e bukurisë, të traditës, të punës, të fermerëve, të turizmit, të zejtarisë, e të krijoni këtu familjet tuaja pranë familjeve të prindërve tuaj. Ta ndalim plagën e emigracionit, ta rikthejmë Korçën në një perlë margaritar të ekonomisë dhe qytetarisë. Të dielën votoni numrin 9. Bashkë për ndryshim! Korça fiton! Shqipëria fiton”, theksoi Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.