Basha në Durrës: Gjithë Shqipëria e di se e diela është dita e ndryshimit dhe e fitores më të madhe

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Durrësi ishte ndalesa e radhës të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha tha se Durrësi dhe e gjithë Shqipëria e di se e diela është dita e ndryshimit dhe fitores më masive në historinë e Shqipërisë.

“Edhe 3 ditë e gjysmë e ndajnë Durrësin nga vota më masive për ndryshim, për çlirim, për bashkim, për fitore. Durrësi e di siç e di gjithë Shqipëria, dita e diel është dita e ndryshimit, është dita e fitores! Fitorja më e bukur dhe më e çmuar, sepse nuk do t’i takojë një partie as dhe një koalicioni por do t’i takojë të gjithë durrsakëve, të gjithë shqiptarëve e të gjithë Shqipërisë, sepse qeveria e ndryshimit që ju do të sillni me votën tuaj për numrin 9 do t’i takojë çdo shqiptareje e çdo shqiptari”, tha Basha.

Basha shtoi se në 8 vite të gjata, 8 vite të vështira, plot dështime dhe mashtrime, plot premtime të pa mbajtura dhe 3 ditë e gjysmë për të vendosur.

“Për 8 vite me radhë ia kyçi portat Shqipërisë duke e ndalur në vendnumëro aspiratën e parë të shqiptarëve, Shqipërinë si gjithë Europa, për të cilën askush nuk mund të shkojë më mirë sesa ky port dhe ju qytetarë e këtij porti zemër bregdetare e kombit tonë edhe 4 vjet të tjera për atë që dështoi 8 vite me radhë, që e varfëroi dhe e bëri Durrësin një nga qytetet me emigracionin më të lartë në Shqipëri, në Ballkan, në Europë e në botë apo ndryshim, ndryshim, bashkë për ndryshim. Durrësi nuk është i një grushti qeveritarësh të korruptuar, sepse Durrësi nuk mund të jetë i oligarkëve, as i bandave, ky është Durrësi juaj dhe me 25 prill durrsakët të djathtë e të majtë, demokratë e socialistë do ta rimarrim Durrësin duke votuar numrin 9”, u shpreh Basha. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.