Autoriteti i Aviacionit Civil certifikon aeroportet

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Ndërsa Aeroporti i Kukësit është bërë funksional duke bërë të mundur uljen në pistën e tij të avionit të parë komercial, enti shtetëror që kontrollon dhe mbikëqyr jo vetëm funksionimin e aeroporteve, por edhe çështjet e sigurisë aeroportuale të tyre, Autoriteti i Aviacionit Civil, ka zbatuar detyrimet ligjore sa i përket funksionimit të aeroportit të dytë ndërkombëtar në vend.

Drejtoresha ekzekutive e Autoritetit të Aviacionit Civil, Edlira Kraja, foli për rolin dhe përgjegjësitë e AAC në proceset për hapjen e aeroporteve të reja ndërkombëtare në vendin tonë gjatë një interviste në medie.

“Autoriteti i Aviacionit Civil ka si detyrë kryesore certifikimin e infrastrukturave të reja në fushën e aviacionit civil. U ngrit grupi i punës për certifikimin e aeroportit të Kukësit dhe paralelisht me këtë certifikohet edhe ofruesi i lundrimit ajror, që në vendin tonë është Albcontrol”, tha ajo.

Ndryshimi i koncesionarit në aeroportin tjetër ndërkombëtar, atë të Rinasit, është shoqëruar edhe me rinovimin e certifikatës së operimit dhe të sigurisë, duke ndryshuar jo thjesht emrin e operatorit aeroportual.

“Ne kemi ndjekur të njëjtën procedurë edhe për konvertimin e certifikatës së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në dhjetor të vitit 2020. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nuk ka më certifikatën që ka patur më parë, por ai është një hap më lart. Tani aeroporti i Tiranës është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, deklaroi Kraja

Investimet e reja në aeroportet ndërkombëtare të vendit, në Rinas, në Kukës, por edhe ato në procesin e ndërtimit pas nënshkrimit të kontratës koncensionare, aeroportin ndërkombëtar të Vlorës janë investime që po diktohen të respektojnë të gjitha detyrimet që parashikon ligji përkatës për aviacionin civil.

Autoriteti përgjegjës nënvizon se standardet e fluturimit dhe të sigurisë në dy aeroportet e ndërtuara dhe në atë në proces, janë prioritet dhe se nuk ka asnjë proces tjetër që ndikon apo dëmton respektimet ligjore.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.