“25 Prilli dita e fundit e tranzicionit, e para e Shqipërisë si gjithë Europa”, Basha: Asgjë nuk do të na ndalë të dalim masivisht në votime

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur edhe në qytetin e Lushnjës, nga ku u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin masivisht të votojnë me 25 prill.

Në fjalën e tij, Basha tha se asgjë nuk i ndal shqiptarët të dalin masivisht dhe të votojnë. Lideri i opozitës gjithashtu tha se këto janë zgjedhjet më vendimtare, sepse vota për numrin 9 më 25 prilli do të shërbej për t’i dhënë fund tranzicionit dhe është dita e parë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

“Më 25 prill, të dielën fermerët e Lushnjës, të Myzeqesë të mbarë Shqipërisë, votoni numrin 9! 9 për të çliruar bujqësinë shqiptare që edhe bujqësia e Shqipërisë të ketë të njëjtën mbështetje nga qeveria e ardhshme e Shqipërisë, si ajo e Kosovës, si ajo e Maqedonisë së Veriut. Pra, për t’i kthyer dinjitetin punës tuaj, asnjë pikë djerse mos t’ju shkojë kot. 9 për sipërmarrësit lushnjarë ndër më duarartët e Shqipërisë, njerëz të punës, njerëz të mendjes. Kanë duruar mbi vete padrejtësitë e dyfishta, të një pushteti të bërë njësh me bandat dhe të bandave të ardhura në pushtet. 4 ditë, jo, 3 e gjysmë për ta prerë këtë zinxhirë, për ta mbyllur derën e kësaj fatkeqësie, për të hapur bashkë dritën e shpresës, dritën e Europës”, tha Basha.

“Edhe njëherë gjendemi para një udhëkryqi njësoj si 101 vjet më parë forcat që duan të na kthejnë mbrapsht, ta izolojnë Shqipërinë, ta mbajnë larg Bashkimit Evropian për hesapet e tyre, për pushtetin e tij, për pasurinë e tij dhe përballë këtij grushti njerëzish dhe një njeriu që e di siç e dini ju të gjithë që të dielën Edi Rama humb dhe Shqipëria fiton. Ndodhet një popull i tërë i sfiduar, i lodhur nga dështimet, i dëshpëruar nga vjedhja e tetë viteve por i vendosur si kurrë më parë për të marrë në dorë fatin e tij me votë, me votë, me votë, me votë ditën e diel duke votuar numrin 9. Le të rrëfehet, pra, 25 Prilli si dita e fundit e tranzicionit, si dita e parë e Shqipërisë si gjithë Europa”, përfundoi Basha. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.