11 mandate në Fier/ Orvajtja e tyre e fundit për tu bërë përsëri gjarpër në këmbët e shqiptarëve

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ “Ju bëni 11 mandate, unë do të bëj 110 herë më shumë për ju dhe së bashku ne do bëjmë 1100 herë më shumë sesa bënë të tërë para nesh”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim elektoral në qytetin e Fierit.

Rama tha se “kjo është koha jonë dhe ky është misioni ynë dhe karakteri ynë është garancia e vetme që Shqipëria të ngjitet në majën e ëndërruar”, tha Rama.

Rama tha se “të dielën, në 25 prill është përsëri një nga ato momente kur njeriu provon përmasat e tij dhe ato nuk provohen kur gjërat shkojnë më së miri dhe koha është e bukur, por kur gjërat nuk shkojnë mirë dhe koha nuk është aq e mirë”.

“Përmasat tona në 25 prill duhet të shfaqen njësoj si u shfaqen qysh nga dita e parë kur ne u përballëm me tërmetin dhe deri sot kur përballemi me pasojat e tërmetit dhe një pandemi që gjunjëzoi botën. Dy goditje që mund të kishin qenë fatale, por ja që ne qëndruam. Ato dhjetëra-mijëra familje që ngelën pa shtëpi për pak sekonda, sot po kthehen në shtëpi ditë pas dite”, tha Rama.

Sot, tha ai, “Shqipëria, një vend i vogël në mes të Europës është atje lart bashkë me vende shumë më të mëdha dhe shumë më të forta në kategorinë e parë për ritmin e vaksinimit dhe shpejtësinë e daljes nga tuneli i pandemisë”.

“Atëherë kur ne bëjmë të tilla sfida si nuk e ngjisim dot Shqipërinë në majën që Zoti u ka caktuar shqiptarëve”, tha Rama.

Ndërkohë ai tha se përballë është Lulzim Basha. “Nuk është gjeneral, por është kukull që u tregon shqiptarëve rrugën e shkurtër. E dini se kush është brenda makinave të shtrenjta të autokolonës së tij? Janë ata që mezi presin 25 prillin të dalin nga makinat dhe të hapin bingot në Shqipëri; t’i turren gjithë dyqaneve dhe bizneseve dhe t’i thonë kemi 8 vjet në opozitë, çfarë ka ndonjë gjë për ne? Ata ish-drejtorë Policie që i nxirrnin në prita oficerët duke lajmëruar kriminelët se po vijnë forcat speciale dhe i linin në duart e kriminelëve. Të gjithë ata janë gati të dalin, janë ata që mezi po presin të rikthehen për të hapur universitete nga të katër anët dhe të rrjepin prindërit duke i shitur iluzionin se të gjithë do bëhen juristë”, tha Rama.

Sot, tha ai, “duhet ta kemi shumë të qartë se është orvajtja e tyre e fundit për tu bërë përsëri gjarpër në këmbët e shqiptarëve dhe përsëri t’ua tërheqin këmbët poshtë ndërkohë që ne duhet të vazhdojmë të ngjitemi me çdo kusht”.

“Unë jam i pakënaqur. Po të mos isha, nuk do isha më këtu t’ju thosha juve vazhdojmë ngjitjen. Por pikërisht se jam i pakënaqur nuk dua t’ju them sa shumë gjëra kemi bërë, por se ne kemi shumë gjëra për të bërë akoma. Ne mund t’i bëjmë të gjitha ato, sepse ne kemi forcën e karakterit. Forca e karakterit tonë është garancia. Ajo ishte garancia përballë tërmetit, pandemisë dhe patjetër është garancia ndërkohë që dielli po lind përsëri për shqiptarët. Dielli ynë duhet të ngroh çdo familje shqiptare kudo ku jetojnë shqiptarët që duan punën dhe besojnë se mund ta ngrohin shtëpinë e tyre dhe zemrat e fëmijëve të tyre”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.