Zgjedhjet/ Përfundon printimi dhe paketimi i fletëve të votimit për të gjitha qarqet

TIRANË, 20 prill /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se ka përfunduar printimi dhe paketimi i fletëve të votimit për të gjitha qarqet, dhe siç e kemi bërë të ditur fletët e votimit për qarqet Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Elbasan, Fier mbërritën në datën 16.04.2021, ndërsa për 6 qarqet e tjera; Tiranë, Kukës, Durrës, Dibër, Lezhë, Shkodër mbërrijnë sot.

Në një deklaratë për mediet, Celibashi tha se “fletët e votimit janë bërë gati dy ditë më herët se sa prisnim dhe ndodhen në magazinat e KQZ-së, fakt i cili na ka ndihmuar të fillojmë përgatitjen e materialeve zgjedhore për çdo qendër votimit”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka siguruar kamerat e monitorimit të 5199, të cilat janë shpërndarë në të gjitha KZAZ-të dhe në ditët në vijim do të shpërndahen në çdo qendër votimi.  Ka përfunduar instalimi i sistemit të mbikëqyrjes në Vendet e Numërimit të Votave, ku përfshihen kamerat e vëzhgimit, kamerat të cilat do të demostrojnë procesin e numërimit të fletëve të votimit dhe të gjithë pajisjet e teknologjisë së informacionit që do ta lehtësojnë këtë proces. Jemi në procesin e rekrutimit të operatorëve të cilët do të përdorin pasjisjen e identifikimit elektronik. Janë bërë rreth 13 mijë aplikime, por ende kemi disa qendra votimit ku numri i operatorëve nuk është i plotë, por aplikimet kanë vazhduar dhe Administrata është duke verifikuar aplikimet dhe po vijon procedurat e rekrutimit e testimit. Gjithashtu, jemi në procesin e trajnimit të operatorëve që do të përdorin pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik për KZAZ-në nr. 40”, tha ai.

“Dua të sjell në vëmendje se masat që KQZ-ka ndërmarrë nga pikëpamja e rregullatorit por edhe infrastrukturës teknike, sigurojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e votuesve. Procesi i nxjerrjes së rezultatit nuk do të ketë probleme, komisionerët të cilët do të angazhohen janë të ndërgjegjësuar për të gjitha penalitetet në rast se sjellja e tyre do të jetë në kundërshtim me detyrën që ata kanë. KQZ nuk do të tolerojë në asnjë rast, asnjë prej atyre komisionerëve të cilët duan të vënë në provë forcën e ligjit. Ndryshimet e fundit në legjislacionin penal kanë sanksione shumë të ashpra ndaj atyre të cilët përpiqen të cënojnë integritetin e votës së qytetarëve. Garantoj se KQZ do të ketë të gjithë vëmendjen e duhur për të evidentuar këto raste dhe për të vepruar në mënyrë të shpejtë dhe në përputhje me ligjin. Vlen të theksoj se kemi marrë të gjithë masat që procesi i nxjerrjes së rezultatit të bëhet sa më shpejtë, të ketë transparencë dhe siguri më të madhe. Procesi është i vëzhguar dhe në rastet se konstatohet se është tjetërsuar vullneti i qytetarëve, përgjegjësit do të përballen me forcën e ligjit”, u shpreh Celibashi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.