“Vendosmëria drejt objektivit, të çon përpara”/ Kush do të provojë karakterin duhet të provojë tek 12, kush gjuan për 9-ën bën rikoshet

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se  “për të gjithë ata që janë të pakënaqur, ju them se me vendosmëri duhet të ecin përpara”.

Gjatë takimit elektoral me banorë të njësisë 5, Rama tha se “edhe unë jam po aq i pakënaqur”.

“Po të mos isha i pakënaqur nuk do të kisha gjithë këtë këmbëngulje dhe kokëfortësi, durim dhe vendosmëri për të ecur përpara. Keni parë ju njeri të kënaqur që të vazhdojë. Njerëzit e  kënaqur pushojnë. I them të gjithë vajzave dhe djemëve që janë këtu, e shihni ju shpesh mamin e babin të kënaqur, sa herë kthejnë kokën nga ju, ju kërkojnë hë i bëre detyrat, e bëre këtë apo atë. Nuk ka njerëz të kënaqur që mund të bëjnë punën e duhur”, – tha Rama.

“Njerëzit e kënaqur nuk janë për punë, nuk janë për t’i cuar gjërat përpara. Pakënaqësia të shtyn në dy drejtime, të shtyn për të bërë më shumë, të shtyn që të dorëzohesh. Kjo është 25 prilli ndarje mes këtyre dy pakënaqësive. Nga dorëzimi nuk ka fituar kurrë askush, nga vazhdimi me vendosmëri i punës dhe rrugës, për të arritur aty ku e ke objektivin, është e sigurt që do të ecësh përpara”, – theksoi Rama.

Pakënaqësia sot, vijoi ai, është gjëja më legjitime në botë për të gjithë ata që ndihen të rënduar të lodhur dhe sot madje është e kuptueshme, që shumë gjëra të duken edhe më të errëta, për gjëra që nuk shkojnë, që e nësërmja të duket shumë më e pasigurt se çështë, sepse nuk po vijmë nga pushimet po vijm nga lufta që po shkon drejt fundit.

“Ne nuk jemi të kënaqur, por jemi të motivuar duke parë se po fitojmë luftën. Trima nuk e di sa ishim, po frikacakë jo” kjo është absolutisht ndarja. Trimërinë e madhe e kanë pak njerëz, por ajo që bën diferencën, është të mos kesh frikë të vazhdosh”, – tha Rama.

“Po ju sjell një fjalë shumë të mençuar të Ruzveltit, presidentit të 26-të të SHBA, që thotë se “vota është një armë, vlera e së cilës varet nga ai që e mban””.

“Se mund të kesh një armë e të qëllosh në ajër, t’u biesh këmbëve, por mund të kesh një armë e të qëllosh në shenjë”, tha Rama.

“Vota e çuar tek Luli është të gjuash në ajër. Vota e çuar te Monika është t’i biesh këmbëve, vota e çuar tek nr. 12 është vota që çan rrugën e së ardhmes. Po ju them të gjithëve duhet karakter të gjuash te 12-ta. Kush do të provojë karakterin duhet të provojë tek 12-a kush gjuan nëpër 6-ta e nëpër 9-ta, thjesht ka pranuar dobësinë e karakterit të vet. Ka pranuar dorëzimin përpara pakënaqësisë, ka pranuar plogështimin përpara nevojës për të vazhduar më tutje, ka pranuar se që pret që gjërat t’i vijnë dhe jo të shkojë e t’i marrë. Të gjuash me armën e 25 prillit tek 12-ta do të thotë të japësh një mesazh të qartë për PS-në, vraponi më shpejt, ecni kur ndiheni se po lodheni, e mbi të gjitha mos guxoni të kënaqeni. Kjo është të gjuash te 12”, – u shpreh Rama.

Të gjuash te 9-ta, tha ai, është hall i madh, është të gjuash në ajër, po nuk është e thënë që plumbi të iki se mund të vijë rikoshet dhe të kapi ndonjë qafë e ta uli kokën poshtë. Se kur gjuan atje ti pret, hajde ne e bëmë tonën, hajde na jepni ato lekët. Se lek i madh ka dalë rrugëve.

“Por ju them atyre se leku do të shkojë brenda atyre makinave të karvanit, se ato makinat, që patronazhistët i ndjekin, dhe këtu Iliri ka të drejtë. Ilir, patronazhistët e dinë se kush është autokolona e Lulit me xhama të zinj. Patronazhistët e dinë se të kujt janë ato makinat e shtrenjta. Ato makina që xhirojnë goma e nxjerrin tym. Aty brenda është karvani i Shqipërisë së vjetër, i Shqipërisë së bingove që i mori më qafë fëmijët e familjet e varfra dhe i ndau prindërit nga njëri-tjetri, aty brenda janë te ai karvani. Aty janë prokurorët dhe gjykatësit e flakur nga Vetingu, zullumqarët më të mëdhenj”, – deklaroi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.