“Të ndihmojmë Metën të kthehet në shtëpi”/ Të votosh Kryemadhin, si të ngresh nga varri të gjithë rilindasit e Elbasanit

TIRANË, 20 prill/ATSH/ “Partia Demokratike vjen vërdallë si aeroplan pa bisht. Çfarë arsyeje kanë për të votuar PD-në, më thoni një tullë që vuri për Elbasanin, jo 100 mijë; një shkollë që PD ndërtoi në Elbasan; çfarë bëri PD për Universitetin e Elbasanit; për spitalin, po për qendrën shëndetësore? PD nuk e meriton që Elbasani t’i hedhë sytë“, deklaroi Kryeministri Edi Rama nga Elbasani ku u ndal në kuadër të turit të tij elektoral.

Po ashtu Rama e konsideroi të papranueshme që në qytetin e Kostandin Kristoforidhit të votohet për Monika Kryemadhin.

“Llogarit pastaj atë partinë tjetër të profesore, doktoreshë, infermiere Monika Kryemadhi. Në qytetin e Kostandin Kristoforidhit të votosh Monika Kryemadhin do të thotë t’i ngresh nga varri të gjithë rilindasit e Elbasanit, të ofendosh historinë e këtij qyteti, kësaj zone”, vijoi më tej Rama.

Kryeministri u shpreh se ne duhet të ndihmojmë Ilir Metën të kthehet në shtëpi.

“E imagjinoni dot Aqif pashë Elbasanin sikur t’u vinte pranë te shtrati e t’i thoshit: o Pashë, a votohet Ilir Meta? Aqif pashë Elbasani duke ju këshilluar të votoni Ilir Metën, një president të cilit e bija i thotë: babi mos pi, hajde në shtëpi. Dhe ne duhet të ndihmojmë Ilir Metën të kthehet në shtëpi”, tha Kryeministri.

Ne, vijoi fjalën ai, nuk duhet të humbasim trenin e historisë për të kthyer mbrapa ata të cilët dalin nëpër rrugët e Shqipërisë e përsërisin skenat e karvaneve me makina.

Në ato makina, tha Rama janë ata drejtues policie që i nxirrnin në pritë oficerët e policisë, që tradhtonin uniformën e shenjtë të policit.

“Janë të njëjtët karvane si në ’90-ën, por makinat nuk janë njëlloj, janë të shtrenjta, me xhama të zinj, por ne kemi patronazhistët. Ata e dinë kush janë në ato makina që xhirojnë rrotat. Janë ata që mezi presin që, largqoftë, shqiptarët të shkojnë pas berihajit dhe mezi presin të rihapin bingot në të gjithë Shqipërinë. Aty brenda në ato makina janë ata drejtues policie që i nxirrnin në pritë oficerët e policisë, që tradhëtonin uniformën e shenjtë të policit dhe ndihmonin kriminelët. Ata duan të kthehen. Elbasani i njeh mirë, i ka provuar në kurriz. Janë taksidarët dhe këtë e kam për gjithë dyqanxhinjtë e Elbasanit. Çfarë doni? Me ne tatimfitimin e keni zero, TVSH-në zero, e kështu deri në 2029-ën. Doni të vijnë ata me makina e t’ju hyjnë në dyqane t’ju thonë: u bëmë gjatë në opozitë, tani kemi uri. Shqipërinë nuk ka më forcë që e hedh prap në prehrin e Saliut, Ilir Metës dhe nuk ka forcë që e le në dorë të kukullës së tyre, Lulzim Bashës”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.