Spiropali: Basha imitues i keq i Berishës, Meta nxitësi më i madh i sherrnajës politike në këtë vend

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, kandidate e PS në Tiranë në zgjedhjet e 25 prillit, u shpreh sot se, Lulzim Basha është një imitues i keq i Sali Berishës.

Ajo u ndal gjatë një interviste tek zhurma e krijuar për çështjen e publikimit të të dhënave personale.

“Këtë zhurmë e krijon Ilir Meta, këtë zhurmë e krijon Sali Berisha, këtë zhurmë e krijojnë atë që po duan me çdo mënyrë të gjëjnë sot alibinë e humbjes së tyre të sigurtë. Me patronazhinst, apo me ngjarje sherri banal e konfliktesh në Kavajë e kudo tjetër, po duan të jenë ata të parët gjahtarë që japin lajmin siç kanë bërë gjithmonë. Kanë shfrytëzuar dhe kanë deformuar çdo të vërtetë, çdo ngjarje në funksion të politikës së tyre të ditës, për të mbajtur gjallë, konfliktin politik, si mjetin e vetëm që kanë për ta sunduar këtë vend”, tha Spiropali.

“Është shumë e thjeshtë. Të mos kenë asnjë shqetësim. Ata më mirë se kushdo tjetër e dinë se kanë databaza në partinë e tyre, shpresoj. Ose pastaj janë kuturu kanë dalë të mbledhin vota me sherr e me bujë, por janë magazinë pa inventar”, tha Spiropali.

“Presidenti niset nga frikërat, nga fobitë, nga makthet e tij dhe ato i projekton mbi shoqërinë, a thua ti se ne jemi duke ruajtur Ilir Metën, i cili nuk lë skutë të vendit pa u takuar me subjekte të OFL-së dhe lloj-lloj horri për të marrë ndonjë votë, për partinë që ia ka trashëguar bashkëshortes. Presidenti le t’i çojë faktet aty ku e kanë vendin, sepse është një parti që sot po rrënohet, po bjerret në sytë e shqiptarëve dhe ai po e sheh live këtë humbje që ka nisur më parë, por që do të finalizohet më 25 prill. Sigurisht që frika është e madhe”, u shpreh ajo.

“Nuk është Presidenti i Republikës, është nxitësi më i madh i sherrnajës poltike në këtë vend. Njeriu që vrapoi dje të shkonte në Kavajë pa verifikuar asnjë fakt, pa pasur asnjë provë, pa ditur si është ngjarja, por për t’i hedhur benzinë një zjarri që nuk ekziston”, tha Spiropali.

Ajo u ndaj edhe tek ngjarja e plagosjes së aktivistit të PD në Kavajë.

“Sot i kemi të qarta të gjitha faktet. Ishte një sherr banal që çoi në një plagosje. E kanë provuar me deklaratat e tyre si ai që bëri krimin, si ai që u plagos dhe i urojmë shërim të shpejtë. Ishte një sherr për parkimin. Tani se ç’punë ka Lulzim Basha, Grida Duma, Ilir Meta Presidenti i Republikës të vrapojnë në vendin e ngjarjes për t’i hedhur benzinë zjarrit, për të rritur artificialisht tensionin dhe konfliktin politik përpara zgjedhjeve atë që kanë bërë 30 vjet. Ia nxorrën bojën edhe Lulzim Bashës. Sepse një njeri që pretendon të bëhet kryeministër duhet të ketë maturinë, duhet të ketë arsyen, duhet të ketë dhe ndjeshmërinë që ngjarje të tillë duhet t’i trajtojë me seriozitet”, tha Spiropali.

“Basha po tregohet fëmijëror, naiv dhe një imitues i keq i Sali Berishës. Të paktën, Sali Berisha atë sjellje e kishte natyrale, e kishte organike, i buronte nga brenda. Ai ishte lideri i konfliktit. Por Lulzim Basha që pretendon nga mëngjesi deri në darkë të mbajë një buzëqeshje të stampuar në fytyrë, e pretendon të jetë e ardhmja e Shqipërisë, vërsulet në një konflikt të tillë për të nxitur sherr aty ku nuk ka”, u shpreh ajo.

“Personi është një kontribues, edhe e pranoi edhe me gojën e tij në një video dhe kjo është edhe qershia mbi tortë. Dhe unë nuk e kuptoj sesi do ja justifikojnë qytetarëve këtë sjellje të tyre banale të konfliktit politik, kur vetë personazhi pranon që ka qenë një kontribues ndër vite i PD, që ka shkaktuar edhe sherre të tjera, nuk është ky i pari”, tha Spiropali.

“Nuk ka asnjë lidhje me PS ky akt. Madje ne nuk themi as që ka lidhje me PD dhe pse rezulton që janë të dy militantë të PD-së, sepse për ne aksidente të tilla nuk duhet të përdoren në asnjë moment për të trembur qytetarët, për t’i trembur komisionerët, për t’i trembur aktivistët politikë”, u shpreh Spiropali. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.