Spaho: Në 8 vite Rama rrënoi fshatin, dyfishoi taksat, nuk dha subvencione

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Koordinatori i PD për Korçën, Edmond Spaho po zhvillon takimet përmbyllëse në fshatrat e Korçës.

Në Petrushë, Çerravë dhe Nizhavec, ai falënderoi fermerët dhe të gjithë banorët për mbështetjen që po japin për kauzën e fitores së PD dhe Aleancës për Ndryshim.

Spaho tha se këto zgjedhje, janë vullnet kombëtar për një Shqipëri të re dhe të zhvilluar.

Ai theksoi se në kutinë e votimit, secili duhet të kujtojë krizën e madhe e të gjithanshme që përjetoi këto tetë vite dhe detyroi qindra mijëra të ikin në azil nëpër botë.

“Kujtoni mungesën e të ardhurave,  varfërinë,  kujtoni mjerimin. Kujtoni dyfishimin e çmimeve, ku  në këto vite u rritën tarifat e ujit, dritat, u rrit nafta me 320 lekë për litër. Për vite të tëra u kalben mollët u kalben qepët, patatet. Pse nuk shiten? Sepse nuk rriten çmimet e referencës dhe favorizohen prodhimet e importit. Kujtoni mungesën e subvencioneve dhe rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore”, theksoi Spaho.

Spaho kujtoi arritjet historike të qeverisë së PD.

“Hoqi vizat, anëtarësoi vendin në NATO dhe një kontributor i rëndësishëm për këto arritje historike, ishte Lulzim Basha. Shihni ku jemi sot, na kanë mbyllur dyert 8 vite dhe rrezikojmë të na rikthehen vizat”, u shpreh ai.

Duke konfirmuar ringritjen e vendit me qeverinë e Lulzim Bashës, Spaho sqaroi se programi i PD adreson zgjidhje të  problemeve me te cilat përballemi dhe reforma që do e kthejnë vendin në normalitet.

“Do ulim taksat që të rrisim punësimin, të rrisim të ardhurat në xhepat e shqiptarëve dhe të thithim investime të huaja nëpërmjet taksës së sheshtë 9 %. Do ulim çmimin e karburantit dhe të energjisë, do rrisim ndjeshëm subvencionet në bujqësi për fermerët dhe prodhuesit me 100 milionë euro në vit dhe 50 milionë euro do t’i investojmë në infrastrukturën bujqësore që t’i bëjmë produktet shqiptare konkurruese. Do dyfishojmë ndihmën ekonomike, do rrisim pagat dhe pensionet me 25 për qind, do paguajmë tarifën e universiteteve për të rinjtë e familjeve me të ardhura të ulëta”, tha Spaho. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.