Sejko: Të dhënat e fundit inkurajuese, ekonomia rikthehet në ritmet e rritjes brenda këtij viti

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se “ekonomia është në rrugën e  rimëkëmbjes, pa pasur nevojë për të rritur më shumë stimulin monetar”.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, tha sot në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë se “të dhënat e fundit janë inkurajuese që ekonomia do të rikthehet në ritmet e rritjes brenda këtij viti”.

Sipas tij, përmirësimi i situatës së pandemisë dhe reflektimi i kësaj tendence edhe në treguesit ekonomikë shtojnë shpresën se momenti më i vështirë ka kaluar dhe se ndoshta nuk do të jetë e nevojshme që norma bazë e interesit të ulet më tej nga minimumi historik prej 0.5 %, ose të shkohet më tej në përdorimin e instrumenteve jokonvencionale të politikës monetare.

Në raportin vjetor 2020, Banka e Shqipërisë shprehet se premisat për rimëkëmbjen e ekonomisë janë pozitive, por sidoqoftë pasiguritë për të ardhmen mbeten ende të larta. Zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten të kushtëzuara nga ecuria e situatës epidemiologjike. Me përfundimin e saj dhe me uljen e pasigurive, aktiviteti ekonomik pritet të vijë në rritje, i mbështetur nga një stimul i konsiderueshëm monetar dhe fiskal, si dhe nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik botëror. Një element që shton optimizmin në këtë drejtim është edhe fillimi i procesit të vaksinimit.

Rritja e stimulit fiskal kompensoi goditjen e ekonomisë nga kriza e pandemisë. Relaksimi i kufizimeve i hapi rrugë një rikuperimi gradual të aktivitetit ekonomik dhe të tregut të punës. Inflacioni mesatar për vitin 2020 rezultoi në nivelin 1.6 %.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e stimulit monetar ndihmoi në kontrollin e kostove të financimit dhe të shërbimit të borxhit dhe nxiti financimin e sektorit privat me kredi bankare. Falë sigurimit të likuiditetit të bollshëm e të mjaftueshëm, tregjet financiare vazhduan normalisht aktivitetin e tyre dhe mundësuan një transmetim të mirë të stimulit monetar në ekonomi.

Banka e Shqipërisë thekson se sektori bankar dha një kontribut mjaft pozitiv dhe të dobishëm gjatë krizës, duke vijuar kreditimin dhe duke marrë përsipër të paguajë një pjesë të faturës financiare, nëpërmjet procesit të shtyrjes së kësteve të kredisë dhe nëpërmjet ristrukturimit të saj. Në raport theksohet se vijimësia e kreditimit është një parakusht i rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e nevojshme financiare, në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.