Rama publikon të dhënat e kartës së identitetit/ Të marrësh numrin e saj, si të marrësh targën e makinës

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ “Unë jam shumë krenar për të gjithë patronazhistët e PS-së, pasi janë ata që e bëjnë PS-në një skuadër të denjë si të gjitha partitë e mëdha, si demokratët e republikanët në SHBA, konservatorët dhe laburistët në Britaninë e Madhe, si të gjitha ato parti që e kanë seriozisht bashkëjetesën në familjen e tyre politike”, deklaroi nga Elbasani, Kryeministri Edi Rama.

Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në këtë qytet, Rama publikoi po ashtu të dhënat e kartës së tij të identitetit, duke iu përgjigjur gjithë akuzave të ngritura për këtë çështje.

“Unë kam marrë me vete kartën e identitetit. E kam këtu, dua t’ju lexoj numrin tim të identitetit të gjithë atyre që janë shqetësuar nga kjo përpjekje e tërbuar për t’ju futur pasigurinë, ankthin, për t’ju futur në konfuzion dhe çoroditur sikur çfarë ka ndodhur. Mbani shënim të dhënat e mia: Rama, Edi; Kombësia Shqiptare; lindur në Tiranë; 04/07/1964;
numri i kartës G 40704039G. Ja e morët, e ç’e doni? Kujt i duhet ky numër, çfarë do bëni me këtë numër?” – tha Rama.

Ai iu përgjigj edhe akuzave të Presidentit për këtë çështje. “E dëgjuat Liken? Më morën kartën, më dinë numrin? O Like, ne të dimë shumë gjëra ty, ai numër s’i duhet dreqit. Prandaj mos u shqetësoni fare, karta e identitetit, e cila është trashëguar nga një kohë tjetër, sot nuk është ende karta e identitetit që duhet të jetë, sepse do të ishte problem nëse karta jonë e identitetit nuk do të ishte thjesht dokument identifikimi, por do kishte brenda sigurimet shoqërore, kartelat shëndetësore dhe shumë informacione të tjera, siç ka në shumë vende dhe në të gjitha vendet që ne duam të integrohemi”, tha Rama.

Kjo, tha ai, “është si me të marrë targën e makinës, ose numrin 12. Merreni të gjithë numrin 12, sepse është 12-a e mandatit tonë të tretë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Më e bukura është se patronazhistët tanë nuk punojnë me numrin e identitetit në kartë”.

Ata që e bënë “çorapin”, sipas tij, “e bënë në kuadrin e gjithë rrugëve të tyre për të penguar rrugën tonë drejt fitores”.

“Në aeroportin e Rinasit tentuan të pengonin vaksinat, të krijonin konfuzion sikur s’ka shtet, por i kishin bërë llogaritë gabim. Tani kanë nxjerrë hijen e patronazhistit”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.