“Politizimi i ngjarjes së Kavajës, vepër e shëmtuar morale”/ Rama: Meta po përdor gjithçka për ta destabilizuar fushatën që të destabilizojë Shqipërinë

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama foli sot për ngjarjen e djeshme në Kavajë ku u plagos një person në zyrën elektorale të PD, duke u shprehur se Lulzim Basha nuk duhet ta politizojë ngjarjen, ndërkohë që Ilir Meta duhet ta ndalë fushatën e tij idioteske të tensionimt të situatës.

Duke folur në një takim me banorët e njësisë 5 në Tiranë, Rama tha se, “dje ndodhi një ngjarje e papëlqyeshme për të thënë më të paktën dhe e patolerueshme për të thënë të tërën. E papëlqyeshme për faktin se ndodhi në sfondin e politikës së ditës dhe të fushatës, e cila s’kishte asnjë lidhje me vetë ngjarjen. Flas për ngjarjen e Kavajës”.

“Nuk kisha pikë dyshimi, që cilado të ishte e vërteta, ata të cilët flasin për ndryshimin dhe kërkojnë votën  e shqiptarëve në emër të ndryshimit, do të rendnin atje. Do të rendnin për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë, për të drejtuar gishtin e akuzës më ekstreme ndaj meje dhe ndaj nesh, pa pritur asnjë orë, as dy orë, jo e jo, që ngjarja të kuptohej se çfarë ishte”, tha Rama.

“Por unë pa pritur asnjë minutë thashë atë që në fakt duhet ta thotë në këto raste kushdo që është serioz dhe që e ka seriozisht shtetin, që e ka seriozisht ligjin, që e ka seriozisht drejtësinë, që e ka seriozisht të vërtetën. Që ngjarja është e patolerueshme, që autori duhet çuar menjëherë përpara drejtësisë dhe që Lulzim Basha nuk duhet ta politizojë ngjarjen. Ndërkohë që Ilir Meta duhet ta ndalë fushatën e tij idioteske të tensionimit të situatës”, theksoi Rama.

“Lulzim Basha ende nuk kishte folur, por tha ekzaktësisht atë që unë mendoja se do të thoshte dhe nuk tha atë që unë do të dëshiroja që të thoshtë njeriu që kërkon të bëhet kryeministër me premtimin e ndryshimit”, tha Rama.

Faktikisht sot, theksoi Rama, “gjithçka është e zbardhur. Autori jo vetëm që nuk ka lidhje me PS-në, apo me fushatën tonë, por përkundrazi është një militant i PD-së në një sherr për arsye që nuk kanë asnjë lidhje me politikën”.

“Natyrisht mund të kishte ndodhur që të ishte e të kundërt, të ishte një militan i PS-së, që për të njëjtin sherr të kishte bërë atë akt absurd. Por siç kjo nuk do të fajësonte PS-në në asnjë mënyrë, edhe tjetra nuk fajëson PD-në për aktin. Por PD është e fajësueshme për politizimin skandaloz që është po aq i keq sa vetë ajo ngjarje. Sepse në atë ngjarje fatkeqësisht është plagosur një njeri, ndërsa politizimi plagos të gjithë shoqërinë. Në atë ngjarje është bërë një vepër penale. Ndërsa politizimi i kësaj ngjarje është një tjetër vepër e shëmtuar morale”, tha Rama.

“Si mundet të jesh zëdhënësi i ndryshimit dhe thjesht dhe vetëm të vazhdosh të zgjasësh zinxhirin e veprave të shëmtuara morale që e kanë përfaqësuar, që e kanë mishëruar lidershipin e asaj partie, gjithnjë”, theksoi Rama.

“Ku ndryshon Lulzim Basha nga Sali Berisha? Sigurisht që ndryshojnë, po ku ndryshojnë? Përderisa vija e zgjedhjes është e njëjta. Ndryshojnë vetëm në një fakt, Sali Berisha është një karakter i mbrapsht, por është një karakter, ndërkohë që Lulzim Basha është një karakter i dobët. Një lider pa karakter që nuk është lider, por është vetëm ndjekës. Ndjekësi i asaj vije sjelljeje që ia kanë përcaktuar dhe që ja diktojnë çdo ditë, Saliu bashkë me atë tjetrin, Ilir Metën”, u shpreh Rama.

“Ilir Metën që rendi atje për ta bërë lajmin e kushedi të satë të ditës në vazhdën e absurditeteve të tij që kanë vetëm një qëllim, ta tensionojnë maksimalisht fushatën elektorale. Të nxisin maksimalisht përplasje. Të stimulojnë maksimalisht sherre dhe dasi”, tha Rama.

“Imagjinoni për një moment sikur nga kjo fushatë ta hiqnim personazhin e Ilir Metës. Fushata, me përjashtim të atyre gomave që xhirojnë, do të ishte një fushatë krejt normale, për hir të së vërtetës. Do të ishte një fushatë krejt e qetë për hir të së vërtetës. Është kjo qetësi që e tërbon Ilir Metën. Është filli i kësaj vazhdimësie pa konflikte dhe me thënë të drejtën edhe pa gjuhën e urrejtjes, sepse Lulzimin e kanë kurdisur ndryshe këtë herë. I kanë kërkuar të bëjë dhëndrin e qeshur, që është nisur për dasëm dhe gjuha e tij nuk ka urrejtje”, theksoi Rama.

“Është Ilir Meta që çdo ditë vë fitila ngado dhe që po përdor gjithçka për ta destabilizuar fushatën që të destabilizojë Shqipërinë sepse Ilir Meta e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë në 25 prill. Sepse Ilir Meta e di shumë mirë se votat në kuti për PS-në do të pikojnë njësoj si ky shi mbi kokat tona. Ilir Meta e di shumë mirë që aq sa ne sot, tani mund të ndalim shiun, aq mund të ndalë, Ilir Meta, Saliu, Monika, Luli dhe ata fitoren e PS-së me një breshër votash nga veriu në jug, në çdo kuti”, u shpreh Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.