Platforma e Zhvillimit të Turizmit/ Beci: Turizëm gjithë vitin kudo nëpër Qarkun e Shkodrës

TIRANË, 20 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidati për deputet i PS-së për Qarkun e Shkodrës, Benet Beci ka prezantuar Platforma e Zhvillimit të Turizmit për Shkodrën.

Ai u shpreh se gjatë gjithë kësaj fushate është përpjekur të dëgjoj sa më shumë profesionistët, njerëzit e thjeshtë, në takime, në mediat sociale, kudo. Jam shumë i frymëzuar nga dashuria dhe pasioni i madh që njerëzit kanë për ta parë më mirë qytetin apo fshatin e tyre.

“Si deputet i Parlamentit, përfaqësues i Qarkut Shkodër, do t’i qëndroj një platforme që ka në qendër zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet publike e private në zonën tonë. Platforma që do të ndaj me ju duke filluar që sot, është e ndërtuar mbi disa shtylla. Besoj fort se këto ndërhyrje të kombinuara fort me njëra-tjetrën, do t’ia ndryshojnë faqen Shkodrës në katër vitet e ardhshme dhe do t’i japin shtysë një cikli zhvillimi që nuk ka për t’u ndalur më. Turizëm gjithë vitin, kudo nëpër Qark. Të gjithë flasim për Shkodrën si një vend i jashtëzakonshëm me lumenj, liqen, det e male. Është koha që këtë “poezi” ta kthejmë në më shumë punë e mirëqenie për njerëzit. Një turizëm i zhvilluar do të thotë më shumë hotele, kafe e restorante, më shumë të punësuar në biznese të reja që hapen, më shumë produkte bujqësore që konsumohen, më shumë ndërtim, më shumë transport, më shumë agjenci turistike, më shumë guida, më shumë menaxherë e në përgjithësi më shumë konsum”, tha ai.

Po ashtu Beci tha se “planin tonë për Shkodrën e turizmit e shoh si ndërtim ofertash turistike në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër, të cilat do të kombinohen me njëra-tjetrën, duke bërë të mundur që njerëzit të shpenzojnë më shumë kohë e më shumë para në Qarkun tonë”.

“Një lidhje të mirë rrugore të Velipojës nëpërmjet përfundimit të rrugës Shkodër-Velipojë, rrugës Shëngjin-Velipojë dhe bërjes së çdo përpjekjeje bashkëpunimi mes Qeverisë sonë e Qeverisë së Malit të Zi, për ndërlidhje direkte mes Velipojës dhe Ulqinit. Kjo krijon një plazh ranor prej gati 50 kilometrash, më i madhi në këtë pjesë të Adriatikut lindor dhe krijon kushtet për tërheqjen e investitorëve seriozë dhe të turistëve ndërkombëtare. Velipoja gradualisht shndërrohet në një qytezë turistike me zhvillim urban që jeton gjatë gjithë vitit. Projekte të nisura: Shkodër-Velipojë dhe Shëngjin-Velipojë; Projekte që duan financim: Lidhja mes Velipojës e Ulqinit. Kthimi i bregut të liqenit nga Ura e Bunës në Shirokë, Zogaj e deri në kufi me Krajën në Mal të Zi në një pol turistik të vizitueshëm gjithë vitin. Kjo krijon kushtet për një ofertë turistike serioze për  turistët që qëndrojnë në Shkodër; më shumë biznese të lidhura me turizmin; hotele, restorante, aktivitete ujore dhe të ecjes në natyrë, por edhe më shumë mundësi për kalimin e kohës së lirë për qytetarët shkodranë. Pikë e re kufitare në Zogaj për makina, biçikleta dhe për varka, tragete turistike”, tha ai.

Po ashtu Beci shton se “projekte të nisura: Sheshi i Shirokës. Projekte me financim të siguruar nga një kredi që Qeveria Shqiptare ka marrë nga BERZH dhe grant nga BE:Kanalizimet dhe ujësjellësi për të gjithë zonën. Trajtimi i bregut të liqenit si një shëtitore e madhe me hapësira rekreative.Muzeu i liqenit – Foleja për biodiversitetin dhe historitë e jetës brenda dhe rreth liqenit. Rruga Shirokë-Zogaj-kufi me Malin e Zi.Rruga e biçikletave dhe të apasionuarve në natyrë si shteg në Tarabosh, së bashku me një rrjet pikash panoramike me histori për Shkodrën dhe liqenin.Pika e re kufitare – është rënë dakord me Malin e Zi.Infrastruktura për lundrim – tre mole në Shirokë, Zogaj dhe në Urën e Bunës; është gati një financim nga Bashkimi Evropian dhe ofertë e përbashkët me Malin e Zi për Virpazarin. Malet: Një infrastrukturë e përmirësuar e aksesit; rruga drejt Vermoshit ka përfunduar; rruga drejt Thethit është në punë e sipër dhe do të përfundojë; është në proces pune rruga Theth-Ndërlysaj. Puka po konsolidon ofertën e saj turistike, me zhvillimin urban dhe parkun e aventurave që është në proces e sipër”.

“Projekte për të cilat duhet siguruar financimi: Rruga e Dukagjinit dhe ndërlidhja e saj me Alpet Lindore në Lekbibaj dhe me tej në Tropojë e Gjakovë. Liqenet e Vaut të Dejës e të Komanit: Vizion për një zonë turistike me një ofertë të integruar të turizmit natyror, të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit industrial bazuar në energjetikë. Projekte të nisura për të cilat është siguruar financim: Rruga Vau i Dejës – Koman. Infrastruktura lundruese me molet e reja në Vaun e Dejës, Koman fshat dhe Koman tunel. Parku fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës.Muzeu i Energjisë në Koman, i kombinuar me vizitën në Hidrocentral. Projekte për të cilat duhet siguruar financim:Parku rekreativ – edukativ me temë energjinë pranë HEC Vau i Dejës, si një atraksion unik për rajonin ku të vizitohet prodhimi i energjisë nga uji, dielli dhe era.Molet e vogla në pikat më me interes përgjatë gjithë liqeneve.Shkodra si një qendër ndërlidhëse dhe si një vend i vizitueshëm në të gjithë vitin me evente kulturore e sportive (më shumë për këtë në postimet e tjera).Së fundmi, menaxhimi i destinacionit dhe promovimi agresiv i Veriut dhe Shkodrës. Kemi burime të jashtëzakonshme, duhen shfrytëzuar me kujdes dhe mençuri. Duhet të kemi një identitet të dallueshëm që ta “shesim” mirë dhe të përfitojmë prej tij”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.