“PD do ta përdorë Kavajën mish për top”/ Xhafaj: Ne bëjmë thirrje për qetësi

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste në Kavajë, Etjen Xhafaj deklaroi se ngjarja e ndodhur dje në Kavajë ku mbeti i plagosur një person në zyrën elektorale të Partisë Demokratike ishte e tmerrshme.

“Asnjë aktivist nuk duhet që të dëmtohet në fushatë. Ata janë kundërshtarët tanë, jo armiqtë tanë”, tha Xhafaj gjatë një interviste në medie.

PD, vijoi ai, u rreshtua lehtësisht sikur shtabi elektoral i PS është organizuar dhe ka bërë këtë veprim.

“Ne si PS jemi shprehur për durim dhe për t’u qetësuar. Basha erdhi rrëmbimthi. Ai foli për komplot të kryeministrit. Këtë person e kam takuar, në një pjesë njerëzish të Bashkësisë Myslimane, por nuk e njoh nga afër. Dje isha për iftar për Gosë. Kur je kandidat për deputet, shkon për të folur me njerëzit, por nuk është aktivist i PS-së”, deklaroi ai.

PD, tha Xhafaj, do ta përdorë Kavajën për mish për top, ndërsa ne bëjmë thirrje për qetësi. ”Të shkojmë më 25 prill të shkojmë si shqiptarë”, apeloi Xhafaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.