Nuk e duam Shqipërinë për pushtetin, por e duam shtetin për Shqipërinë/ Përballë janë ata që njollosën Ditën e Verës

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ “Ne nuk e duam Shqipërinë për pushtetin, por edhe duam shtetin për Shqipërinë”, deklaroi sot nga Elbasani, Kryeministri Edi Rama.

Në një takim me banorë të Elbasanit i zhvilluar në stadiumin e qytetit, Rama tha se “kur hyra këtu e ndjeva veten në atmosferën e një ndeshjeje të kuqezinjve”.

“E ndjeva veten pjesë e një skuadre kombëtare që në 25 prill nuk do të shkojë atje të kutia e votimit për një palë, por për çdo shqiptar”, tha Rama.

“Jam shumë i frymëzuar nga gjithë këto ditë rrugëtimi në këto stacione shumë të bukura ku ne mblidhemi dhe ruajmë rregullat, ku ne takohemi me njëri-tjetrin dhe i japim Shqipërisë një mesazh të qartë: që ne nuk e duam Shqipërinë për pushtetin, por e duam shtetin për Shqipërinë”, tha Kryeministri.

Ne, tha Rama, “nuk jemi parti që vijmë në Elbasan, fusim 12 ballokume dhe nxjerrim 6. Parti që edhe sobën e kanë fut në skenë që i pjek 12 dhe nxjerr 6. Ne s’jemi si ata. Ne nuk jemi as si ata që Ditën e Verës, në anën tjetër të bulevardit i vunë njollë një feste tradicionale të gjithë shqiptarëve. Ky është dallimi mes nesh dhe tyre. Ata janë ajo që ndodhi nga ana andej e bulevardit ditën e Festës së Verës, ne jemi ata që jemi këtu dhe na shikon gjithë Shqipëria”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.