Nga Skavica te TEC-i i Vlorës/ Shqipëria e përtej pandemisë bëhet vend sovran në energji

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Tiranë, tha se Shqipërinë e bëjmë kampione në energji, eksportuese neto të saj. Ai tha se për shqiptarët nuk ka më mirë se Partia Socialiste.

“Shqipërinë e bëjmë kampione në energji. Ne kemi potencialin më të madh hidrik. Ne po bëjmë parqet me energji diellore, ne do të ndërtojmë Skavicën dhe do të bëjmë TEC-in e VLorës, portin e hyrjes së gazit të lëngshëm në marrëveshje me qeverinë e SHBA. Ne kalojmë eksportues neto. Pra Shqipëria e përtej pandemisë bëhet vend sovran në energji dhe s’ka nevojë të blejë asnjë euro nga jashtë, krijon rezerva dhe ua shet atyre kur ata kanë nevojë”, – tha Rama.

“A e bëjmë ne Shqipërinë kampione në Ballkan në digjitalizim? Patjetër. Ju them studentëve, ku e keni parë, pyesni prindërit tuaj, ku e keni parë, ku do ta gjeni përveç se tek ne një qeveri që ju dëgjon. Një qeveri që ju dëgjon, një qeveri që ju jep të drejtë e që ju thotë më fal, e që përvesh mëngët dhe punon ditë-natë për të krijuar kushtet e merituara”, – tha Rama.

“Sot ekselentët duhet të ndjehen bijë dhe bija të kësaj familje politike, sepse sot studentët ekselentë jo vetëm që s’paguajnë, por marrin bursë dhe pasi mbarojnë shkollën ne i marrim dhe i çojmë në një punë të denjë. Dhe të tjerët e kanë tarifën e përgjysmuar, pse ? E arritën ata, sepse i dëgjuam ne. Si mund të gjuash tek e djathta, larg o Zot, larg o Zot tek gjashta. Të gjuash tek gjashta, t’i japësh votë analfabetizmit funksional. Për ta bërë gjuhën shqipe si ato opsionet tek ipad i kalamajve. E keni parë Monikën si e kafshon gjuhën shqipe, sa herë e hap gojën. E keni parë çfarë heq kryefjala kur flet Monika? Kur kallëzuesi ngre kokën, ha shpullë, hidhet kundrinori bëhet kryefjalë. Profesor doktor Monika Kryemadhi, o Zot! Sa herë ha presjet i fut të shame në mes. Të jesh student t’i japësh votë asaj”, – tha Rama.

“Zoti i mbrojttë ata që hanë karkalecin e Monikës. Nuk ka rrugë tjetër, Partia Socialiste është rruga. Partia Socialiste nuk është më e mira që mund të gjesh në ëndrrën tënde më të bukur, por më të mirë se Partia Socialiste për Shqipërinë, për ata që dinë kuptimin e fjalës “për njerzillëk”, më të mirë se PS për gjyshërit dhe gjyshet, për ata që hapin një dyqan në mëngjes e nuk paguajnë një taksë nuk ka. Më të mirë se PS për ata që s’paguajnë asnjë taksë nga janari kur marrin 400 mijë lekë pagë, se PS që ngriti rrogën minimale, për mjekët e infermierët, për mësuesit që do kenë 40 % më shumë pagë. më të mirë se PS, nuk ka”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.