“Ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë shtetin, kemi hapur rrugën kudo”/ Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm e agroturizëm

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në njësinë 5 në Tiranë, tha se pakënaqësinë duhet ta kthejmë në një energji për të ecur bashkë përpara, pasi vetëm bashkë mund ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, agroturizëm dhe të rritim eksportet bujqësore në 1 miliard dollarë.

“Ka pakënaqësi në Tiranë. Jam unë i pari i pakënaquri që çdo ditë ia nxi jetën kryetarit të bashkisë së Tiranës. Patjetër, por e ndërroj unë Lali Erin me njeri tjetër? Me kë ta ndërroj, me Aldo Bumçin? Megjithëse Aldo është më i mirë se Luli, me thënë të drejtën. Aldo zgjohet në mëngjes, se ka hall se e merr shefi. Ta kanalizojmë pakënaqësinë për të prodhuar një energji të madhe, që nesër të jemi pak më të kënaqur, jo shumë më të kënaqur, por pak më të kënaqur e ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë”, – tha Rama.

“Si ka mundësi, si mund të kërkohet që të gjitha gjërat që ne duam dhe që shqiptarët i meritojnë të bëhen në një hark kohe kaq të shkurtër, ku patëm brenda, në mes edhe tërmetin dhe virusin, si? Shikoni njëherë shtëpitë tuaja, që sot janë më të mira se dje, për sa kohë u bënë? Për sa kohë iu deshën familjeve tuaja të zbrisnin nga periferitë të varfëra dhe të ndërtonin ato shtëpi, me nga dy apo tre kate, vila ku kati i dytë dhe i tretë ende s’ka përfunduar pasi ka ende nvojë për t’u mobiluar. Sa sakrifica u deshën, sa djersë u desh? Sa vite? Sa kursime? Ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë shtetin që po ndërtojmë dita-ditës dhe ne kemi hapur rrugën kudo”, – tha Rama.

“Sot ka shumë të pakënaqur dhe unë do isha çmendur fare me Hipotekën. Shyqyr Zotit kam hequr dorë nga çdo trashëgimi, qysh denbabaden, nuk më intereson fare. I kam thënë ndjesë pastë sime mëje, mua mos më quani fare këtu, edhe tek shtëpia e asaj në Vlorë s’kam më punë fare. T’i marrë kush të dojë. Pse? Në fund fare 2 metra gjatësi, 2 metra thellësi, 1 metër gjerësi dhe çfarë lë pas? Janë të ndara gjërat, ka njerëz edhe si puna ime. Unë thjesht po ju them, që pakënaqësia për hipotekën është reale, por ne jemi duke kuruar sëmundjen, pasi 95 % të shërbimeve publike për qytetarët ne i kemi futur tek telefoni dhe kompjuteri më i afërt. Të tjerat janë ende të papastruara nga ato mbivendosjet dhe prandaj vijojnë historitë, ecejaket. E njëjta gjë ndodh me legalizimet, por po kurohet plaga. Tani, nëse ne themi, na jepni këtë fuqi ta vazhdojmë punën, që brenda 2-3 viteve të ardhshme sistemet do të jenë të gjitha mbyllura dhe shteti s’do jetë më në formën e asnjë zyrtari, asnjë drejtori, do jetë këtu në celular, ashtu si lejet që merrnit në kohën e karantinës. Kjo nuk është diçka, që unë e kam parë në gjumë”, – tha Rama.

“Këtë e bën Luli, ai sheh ëndrrat në gjumë dhe propozon një program me 18 % rritje ekonomike, që se ka arritur as Kina në kulmin e vet. Kjo është diçka që ne po e bëjmë dhe jo se nuk e kanë vendet e tjera, por në Ballkan jemi të parët. Këtë nuk e them unë, e thonë të gjitha raportet e BE, BB, OKB… etj., që Shqipëria është e para dhe unë them që në 25 prill marrim vendimin, e bëjmë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan? Në 25 prill vendoset! E bëjmë Shqipërinë kampione në Ballkan në agroturizëm, në prodhimin bujqësor. Sot në një sërë zërash jemi të parët, shikoni prodhimin e domateve, shikoni prodhimin e shalqirit, shikoni prodhimin perimeve, jemi të parët! Jo thjesht me 3-4, por edhe mbi Serbinë dhe Kroacinë dhe ne e bëjmë, e bëjmë dhe e çojmë Shqipërinë me eksportet bujqësore mbi 1 miliard dollarë”, – tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.