Musk: Tek aksidenti me ”Tesla”-n nuk ishte aktivizuar opsioni autopilot

TEKSAS, 20 prill /ATSH-DPA/ – Pasi dy burra vdiqën në përplasjen e një ”Tesla”, që policia beson se askush nuk ndodhej në timon, shefi i kompanisë Elon Musk deklaroi se automjeti nuk kishte të ndezur sistemin e tij autopilot, sipas gjetjeve fillestare.

“Regjistrat e të dhënave të rikuperuara deri më tani tregojnë se autopiloti nuk është aktivizuar”, shkroi Musk në Twitter, në reagimin e parë të kompanisë ndaj incidentit në Teksas të shtunën.

Policia tha pas hetimeve paraprake ata ishin “gati 99,9% të sigurt” se askush nuk ishte pas timonit, sipas ”Wall Street Journal”.

Njëri nga burrat u gjet në sediljen e pasagjerit dhe tjetri në sediljen e pasme. Makina u përplas me një pemë dhe u dogj pas aksidentit.

Hetuesit e aksidenteve nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA (NTSB) shkuan në vendin e ngjarjes, ndërsa policia pranoi që nga fillimi se ishte e paqartë nëse ndihma e ngasjes ishte aktivizuar në kohën e aksidentit. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.