Majko: E ftojmë Lulzim Bashën që pas zgjedhjeve të bashkëpunojë në emër të Shqipërisë

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Kandidati i PS për deputetë në qarkun e Tiranës, Pandeli Majko ftoi sot kreun e PD Lulzim Basha që pas zgjedhjeve të ulet dhe në emër të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të bashkëpunojë me PS.

Duke folur në një takim me banorë të njësisë 5 në Tiranë, Majko tha se, “tani ka filluar numërimi mbrapsht dhe shumë shpejt vendin e fjalëve do ta zënë vendimmarrjet e gjithsecilit tek kutia e votimit”.

“Kam shumë fjalë për të thënë, por çuditërisht sot më vijnë pak prej tyre. Xhaxhai im nuk jeton më, ka qenë që në moshën 14 vjeç partizan. Pushkën e parë e ka pasur më të gjatë se veten. Sa herë e pyesja do më tregoni se sa trima keni qenë. Qeshte dhe më thoshte: e rëndësishme ishte që ne nuk ishim frikacakë”, tha Majko.

“Sot në këto ditë të fundit çdo socialist, apo votues yni mund të dëgjojë lloj-lloj hungërimash, por çdo lloj hungëruesi duhet ta dijë shumë mirë se ne jemi nga raca e atyre që nuk kanë frikë. Dhe tek kutia e votimit ne nuk do të shkojmë vetëm për veten. Ne nuk do të shkojmë  vetëm për shtresën tonë të së majtës”, u shpreh Majko.

“Pse e them këtë? Po të shikoni tek PD, pothuajse çdo ditë shkruhet nga një dështim i qeverisë Rama, por mungon diçka, mungon dështimi ynë me shtresën e të përndjekurve. E pra ne e dimë shumë mirë që tek të përndjekurit ne nuk kemi me shumicë vota, por në këto 8 vite ne mund të kritikohemi se nuk kemi bërë shumë për ish-ushtarakët, ne ne mund të kritikohemi se nuk kemi bërë shumë për pensionet, ne mund të kritikohemi se nuk kemi bërë shumë për socialistët, por për të përndjekurit të mos guxojë njeri të na thotë se nuk kemi bërë, sepse e vërteta e vërtetë është që ne kemi parë qeverisje, jo vetëm për të majtët, por edhe për të djathtët”, theksoi Majko.

“Prandaj e ftojmë Lulzim Bashën që pas zgjedhjeve të ulet dhe në emër të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të bashkëpunojë me ne, të mos qëndrojë më jashtë sistemit së bashku me partinë e tij, sepse zgjedhjet nuk do të fitohen vetëm nga një palë. Do të fitohen në radhë të parë nga Shqipëria dhe e ardhmja e saj”, tha Majko.

“Sot unë nuk dua të flas më gjatë. Me siguri ju doni t’ju them votoni për këtë e për atë, për 12-ën e për 19-ën. E vërteta e vërtetë është se 19-a jam unë në listë, por 12-a jeni ju, jemi ne, është e ardhmja jonë, është e ardhmja e Shqipërisë”, u shpreh Majko. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.