Lame për audiopërgjimin: Zbardhja e një diskutimi të vitit 2017, legalizuam 210 mijë objekte

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Drejtori i Kadastrës, Artan Lame tha sot se numri i legalizimeve llogaritet përtej 210 mijë dhe se për të bërë të mundur dëmshpërblimin e rreth 90 mijë objekteve me probleme kemi ndryshuar ligjin ”Për legalizimin”.

Lame reagoi pas një publikimit të një audiopërgjimi në medie.

“Sot u publikua një regjistrim i një diskutimi tim, të folur në tetor (ose nëntor) 2017, për problematikat e vijimit të procesit të legalizimeve. Aty jemi pas zgjedhjeve të atij viti, pra nuk mblidhemi për të blerë vota se votat i kishim marrë, dhe po diskutojmë se si do të trajtojmë objektet që, me ligjin e trashëguar nga Saliu, nuk mund të legalizoheshin dot”, u shpreh Lame.

Të gjitha shifrat që përmenden aty, tha Lame, janë të vërteta për atë kohë, le që unë i kam deklaruar vazhdimisht edhe publikisht dhe mund t’i gjeni në të gjitha daljet e mia publike.

“Them “janë të vërteta për atë kohë”, sepse ndërkaq kemi ecur përpara. Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë. Aty them që kanë mbetur edhe 170 mijë, por ndërkaq prej këtyre 60 mijë të tjera u bënë. E vetmja shifër ku nuk lëviz, janë rreth 90 mijë ndërtime që nuk mund të legalizoheshin me ligjin e asaj kohe dhe këtë e kam thënë sa e sa herë edhe në media. Natyrisht që unë aty them se “po nuk gjetëm një zgjidhje për këta njerëz, ata do të bëhen mish për top për palën tjetër”. Kush mund të thojë që nuk është kështu?! Natyrisht që unë them se “këtyre njerëzve që nuk mund të legalizohen, ne do t’ju themi që do të gjejmë një zgjidhje kur të bëjmë ndryshimet ligjore”. Pse, ç’do t’ju thonim, që do t’ju vëmë kazmën, sepse kështu e ka ligjin Saliu? Dhe këtë unë e kam përsëritur kaq e kaq herë në çdo takim publik. Natyrisht që unë aty them që “atij që nuk i legalizohet shtëpia, edhe Milosheviçi sikur të vijë e ti thotë që ta legalizoj unë, ai do të bëhet edhe me Milosheviçin”. Po këtë unë e kam thënë edhe në studio televizive. Aty them se “për masën që nuk legalizohen dot, diku për shkak të nenit 35, diku në zonat që përmbyten, apo zonat e mbrojtura, është kriminale të bëhen”. Po kush më thotë që nuk është kështu dhe, edhe këtë e kam thënë gjithmonë publikisht. A nuk është kriminale të legalizosh në zona të mbrojtura apo në tokë me pronar?” – shpjegoi Lame.

Dhe pikërisht me këto halle dhe për këto halle, vuri në dukje Lame, ne bëmë me ligjin e ri 20/20 që u miratua më pas, pas këtyre diskutimeve, ligj i cili parashikon pikërisht këtë gjë, që objektet që nuk mund të legalizohen do të përfitojnë dëmshpërblimin.

“Ky ligj i jep zgjidhjen të gjithë kategorive për të cilat unë kam ngritur shqetësimin në atë takim, në diskutimet publike dhe deri në komisionet parlamentare kur u diskutua. Rezultati: Ligji 20/20 parashikon zgjidhje për të gjitha kategoritë që përmendja dhe ngrija shqetësimin me zë dhe me figurë. E folura ime aty është politike. Po natyrisht që politike do të jetë, se unë di të trajtoj problemin politikisht kur flitet për zgjidhje politike, ashtu siç di ta trajtoj teknikisht kur flitet për çështje teknike, apo si historian kur flitet për çështje historike. Sfidoj përgjuesit dhe PD-në, të gjejnë një kategori ndërtimesh që unë kam përmendur aty dhe ne nuk e zgjidhëm me atë ligj. E kanë të lehtë ta bëjnë, sepse tani kanë në dorë edhe regjistrimin e atij takimi. Unë nuk kam regjistrimin, por ligjin që po vepron”, u shpreh Lame.

Presidenti Ilir Meta reagoi pas publikimit të audiopërgjimit, duke u shprehur se “provon se për “Rilindjen” shqiptarët janë “mish për top”, ndërsa zyrat e shtetit, që paguhen me taksat tona, janë kthyer në strofulla të fuksave, banditëve, të korruptuarve, shkelësve të ligjit dhe “taksidarëve” të biznesit kriminal të votës”.
“Pres nga Drejtësia të zgjohet dhe të nisë menjëherë hetimet për këtë skandal të rëndë, që meriton ndëshkim. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, të bëjë kujdes dhe të ndalë përpjekjet për manipulimin e provave të flagrancës të krimit zgjedhor. Mos e detyroni popullin të arrestojë të paudhët”, tha Meta.

Audio-përgjimi i Lames/ Rama: E përkthyer sipas Ilir Metës, problemet i adresuam në ligjin e ri

Kryeministri Edi Rama komentoi sot audio-përgjimin e publikuar në medie, ku kreu i Kadastrës, Artan Lame diskutonte mbi procesin e legalizimeve të objekteve pa leje.

Gjatë një interviste në medie, kryeministri tha se diskutimi në audio ishte i bërë në vitin 2017, para se të miratohej ligji i ri “Për legalizimin”.
“Është një disktutim i bërë në vitin 2017, siç e shpjegon edhe vet Lame, para se të miratohej ligji i ri “Për legalizimin”. Po të dëgjoni audion dhe të shikoni ligjin e ri do të shikoni se janë adresuar një sërë çështjesh. Nuk ka qenë çështje votash”, tha Rama.

Sipas tij, ajo është një audio e përkthyer sipas Ilir Metës.

“Është në një periudhë kur flitet për ligjin. Ai ligj është fakt sot. Video është e përkthyer sipas Ilir Metës. Nuk është për përfitim të votës. Por s’mund tu thuash që nuk legalizohen me atë ligjin e Saliut, sepse çohen në revoltë. Ajo që bëmë ne është që ndërruam ligjin dhe do ti legalizojmë“, deklaroi Rama.

Basha: Urdhëri i dhënë nga Rama

Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me videopërgjimin duke u shprehur se ” urdhëri për këtë skandal është dhënë nga Edi Rama dhe ky është një akt kriminal”. Basha tha se Rama premton legalizime por në të vërtetë do t’i shembë shtëpitë e qytetarëve.

“E dëgjuat sesi drejtori i Kadastrës me porosi të Edi Ramës pranon që të shkojnë derë më derë dhe t’i thotë që do iu bëjmë legalizimin pasi të na jepni votën por në fakt nuk do jua bëjnë. Ky është akt kriminal, ndaj atyre shtëpive që ky do i prishi më vonë. Premton legalizim, kur në fakt qëllimi është t’ua prishë pas zgjedhjeve. Ky është Edi Rama i vërtetë. Kjo është politika që shkatërroi vendin për 8 vite me radhë. Ky është njeriu që kërkon 4 vite të tjera”, deklaroi Basha nga Kamza.

Gjithashtu kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për Tiranën, Jorida Tabaku gjatë një deklarate nga selia blu në lidhje me audiopërgjimin theksoi se, “kjo është dëshmi nga një zyrtar i vjetër i Partisë Socialiste për kontaktin e tij të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama se si të blejnë votat me parave dhe përfitimeve financiare, duke u synuar të vjedhin zgjedhjeve në Shqipëri”.

“Fatkeqësisht kjo është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë të veprimeve të tij korruptive dhe antidemokratike, që ai po e zhvillon në terren, me synimin që të vjedhë zgjedhjet. Edi Rama, më në fund, e ka kuptuar që do të humbë dhe që e vetmja gjë që i ka mbetur është përpjekja për të vjedhur zgjedhjet. Më 25 prill Edi Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë”, tha ajo.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.