Integrimi/ Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat për çeljen e negociatave

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat për çeljen e negociatave”.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “unë nuk kam asnjë datë, datat i jep Lulzim Basha, ai i bën punët me data”.

“Ne e kemi marrë formalisht premtimin për të hapur negociatat. Në Europë është me konsensus. Kam thënë gjithmonë ne bëjmë detyrat. Ne nuk kemi pasur asnjë problem prej kohësh, na i kanë sajuar problemet. Ka vetëm një gjykatës kjo punë KE, pastaj Këshilli Europian është komiteti i partisë. Ne i kemi bërë me kohë detyrat, por shto ujë e miell”, tha Rama.

Lidhur me Shengenin Rajonal, Rama tha se i pari fare që e ka artikuluar ishte Fatos Nano, në një kohë që dukej çmenduri”. “Unë e kam rifutur në axhendë se u krijuan kushtet. Shengen do të thotë heqje e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës por sa ta marrin vesh ata në Kosovë do kenë humbur dhe disa vite të tjera”, tha Rama.

Rama shtoi se “për mua e ardhmja e Kosovës, pa kurajon dhe vendosmërinë për të mbaruar dialogun është e mjegullt jo në sensin e lirisë se ajo është e vendosur, por në sensin e kapaciteteve që mund të vihen në dispozicion për ta ngritur Kosovën në një nivel tjetër bashkëpunimi ekonomik”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.