“Fëmijët e Republikës, ligji i parë që do të kalojë mazhoranca e PS pas 25 prillit”/ Status të veçantë fëmijëve që kanë humbur prindin për shkak të detyrës

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ligji i parë që do të kalojë mazhoranca e PS pas 25 prillit do të jetë ai për fëmijët e Republikës.

Duke folur në një takim me banorët e njësisë 5 në Tiranë, Rama tha se, “dëshiroj të ndaj me ju idenë time për ligjin e parë që do të kalojë shumica e re, shumica socialiste dhe progresiste e 25 prillit, i cili do të jetë ligji për fëmijët e Republikës”.

“Fëmijët e Republikës janë të gjithë ata të cilët kanë humbur prindërit, babain ose nënën për shkak të detyrës, apo për shkak të një shërbimi të madh ndaj të tjerëve”, tha Rama.

“Erioni përmendi Arjanin, babain që ende pa mbushur të 30-at, la pas një fëmijë të vogël. Ai është fëmijë i Republikës dhe Republika duhet dhe do të kujdeset posaçërisht për këta fëmijë”, tha Rama.

“Ne kemi bërë sa kemi mundur për fëmijët e policëve të vrarë në krye të detyrës. Për fëmijët e ushtarakëve që kanë humbur jetën, por është koha që këtyre fëmijëve ne t’i japim një status të veçantë. Dhe është koha që çdo shumicë qeverisëse ne ta ngarkojmë me barrën e prindit për këta fëmijë të Republikës, të cilëve prindërit nuk ua kthejmë dot, por për të cilët ne duhet të kujdesemi nga momenti i parë i humbjes së prindit, deri në momentin kur ata dalin në jetë për t’iu dhënë të gjitha mundësitë e shkollimit, të edukimit dhe të një jete ku ata të jenë krenarë për prindin e tyre. Jo thjesht për gjestin, por të jenë krenarë sepse prindi i tyre humbi jetën për një Republikë që ia vlen sakrificën e kujtdo. Për një shoqëri, e cila nuk harron të nesërmen e cermonisë funerale. E lëre më pastaj të kujtohet për të dhënë dekorata pas vdekjes që si duhen dreqit”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.