Eksportet “Made in Albania” u rritën me 78.6 % në mars krahasuar me një vit më parë

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Eksportet “Made in Albania” u rritën me 78.6 % në mars të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më pare, bëri të ditur INSTAT.

Sipas INSTAT, eksportet u rritën gjatë kësaj periudhe edhe në raport me marsin e vitit 2019, që ishte një vit normal, duke shënuar një rritje të fortë me 14 % dhe duke sinjalizuar kështu një ecuri të mirë në pothuajse të gjithë sektorët e  prodhimit për eksport.

Të dhënat tregojnë se për tremujorin e parë të vitit eksportet u rritën me 22 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s, ndërsa për 2-mujorin e parë, tendenca kishte qenë me një rënie të lehtë prej 1 %.

Në krahasim me tremujorin e parë 2019, kur ekonomia ishte në një situatë normale, eksportet janë sërish 11 % më të larta.

Sipas INSTAT, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me rritje 8,9 %, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 6,6% më shumë, “Tekstile dhe këpucë” me 2,4 %. Në uljen vjetore të eksporteve ka ndikuar grupi: “Prodhime druri dhe letre” me rënie 0,6 %. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.