“Do t’ja pres duart kujtdo që guxon të prek votat”/Do dekretoj çdo shumicë që do dal nga zgjedhjet

TIRANË, 20 prill /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta deklaroi se do dekretoj çdo shumicë që do të dalë nga 25 prilli, nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Në një interviste televizive nga Shkodra, Meta tha se do dekretojë atë shumicë që fiton numërim më të madh të mandateve.

“Besimi më i madh është tek populli shqiptar. Çështja e zgjedhjeve i takon çdo prindi, fëmije, nënë dhe babai. Jam i vetmi politikan në Shqipëri, që çështjen e integrimit e kam pasur prioritetin e tij kryesor. Partia Socialiste ka qenë një parti demokratike, Edi Rama e tjetërsoji përmes strukturave të kapjes që ka instaluar, si parti-shtet”, tha ai.

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se, “u bë vite që jetojmë në klimë tensioni dhe përjashtimi. Kjo ndodh sepse kryeministri në largim ka shndërruar shtetin në një lloj bande. Dhe e ka treguar këtë edhe para katër vitesh me zgjedhjet e Dibrës dhe Shijakut, por edhe me zgjedhjet një partiake moniste”.

“Unë i bëj thirrje gjithë qytetarëve që të shkojnë të votojnë me datë 25 prill, unë jam i sigurt që çdo presion dhe shtypje do të përkthehet në derdhje pa fund votash për ndryshim”, tha Presidenti.

Meta tha se “Edi Ramën e paralajmëroj nga Shkodra se do t’ja pres duart atij dhe kujtdo tjetër banditi që guxon të prek votat”.

“Presidenti do nxjerrë dekrete për mbrojtjen e votes së lirë. Për këtë të jetë i qarte Rama dhe banditet e tij. I gjithë populli do jete ushtar dhe do ta ndjekë Ramën kudo që të jetë nëse prek 1 votë. Presidenti Meta do të flas vetëm ndërmjet dekreteve, dhe do mbroj demokracinë me anë të dekreteve. Populli me një dekret të Presidentit është ushtar dhe del lufton për këtë çështje, sepse ai është një anti shqiptar”, tha Meta.

“Edi Rama po mbron interesin e disa antishqiptarëve dhe që duan shkatërrimin dhe shpopullimin e Shqipërisë, që synojnë përçarjen e shqiptarëve dhe ndarjen e Kosovës. Dhe jo me kot kemi parë një lobim të qarqeve anti shqiptarë, dhe kjo është një tradhti kombëtare”, u shpreh Meta.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.