“Basha i kontrolluar nga Berisha e Meta”/ I gatshëm për bashkëpunim të gjerë me opozitën, qasja ime pas zgjedhjeve përbashkuese

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ “Këtë ftesë nuk e bën dikush që nuk fiton por dikush që fiton. Unë besoj shumë që Shqipëria ka nevojë të shkoj në një nivel tjetër dhe qasja ime pas zgjedhjeve do të jetë përbashkuese, duke parë edhe veten, duke reflektuar mbi atë që mbase unë nuk kam bërë sa duhet për ta ushqyer këtë frymë bashkëpunimi”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, ku foli për fushatën e PS-së dhe ftesën ndaj Bashës.

Ai tha se “nuk ka ndryshuar tonet e fushatës por ritmin, sepse strategjia e fushatës sonë ishte që në dy javët e fundit do të ndizesh të gjithë motorët dhe kjo e ka futur fushatën në intensitetin më të lartë”.

Lidhur me ftesën për bashkëpunim drejtuar Bashës, Rama tha se “Lulzim Basha nuk është lideri i asaj që paraqitet si forca e ndryshimit, apo si koalicioni i madh”.

“Në fakt është një bashkim i madh i të gjithë kartave të djegura të politikës shqiptare dhe Basha është aty i emëruar, i vendosur nën drejtimin e Sali Berishës dhe i kontrolluar totalisht nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Por nga ana tjetër opozitën nuk e zgjedhim është ajo që zgjedhin të tjerët”, tha Rama.

Rama theksoi se sidoqoftë ai është përfaqësuesi zyrtar dhe ai e ka përgjegjësinë që të shikoj përtej zgjedhjeve, sepse zgjedhjet do t’i fitoj PS dhe PD do të jetë në opozitë.

“Jam shumë i gatshëm të shikojmë mundësinë e një bashkëpunimi të gjerë me opozitën për të tejkaluar politikën e këtyre viteve. Shqipëria ka potencial dhe oportunitete shumë të mëdha dhe politika duhet të vihet në shërbim të tyre”, tha Rama.

Kam një shpresë, tha ai, “se humbja mund të ketë vlerën e pikës që përmbys kupën dhe PD do të bëj reflektim të vetvetes”.

“Mendoj se shqiptarët meritojnë shumë më tepër nga politika. Shqipëria ka nevojë që politika të ngrihet në lartësinë e sfidave dhe pritshmërinë e njerëzve. Kur flas për bashkëpunim nuk vë asnjë limit, nuk është as mekanik, nuk është o bashkë në qeveri, o s’ka bashkëpunim. Bashkëpunimi mes forcash që bëhen zëdhënëse të një civilizimi të caktuar. Është një spektër shumë i gjerë mundësish dhe jam i gatshëm ta shfrytëzoj atë spektër, të jem kryeministër i të gjithëve, si lideri i një shumice që është njëkohësisht edhe kryeministri i të gjithë shqiptarëve”, tha ai.

“Nuk e kam dëgjuar ofrimin e një zyre pranë asaj të kryeministrit. Unë nuk do ja ofroj një zyrë pranë zyrës time Lulzim Bashës, por nuk është nevoja për këtë lloj organizimi në formën e një ndarje prone apo të hapësirës së një ndërtese”, tha ai, duke komentuar librin e Bashës.

“Eksperiencat janë të shumta gjithandej, mjafton dëshira që duhet kaluar në një nivel tjetër bashkëpunimi dhe pastaj vlerat që përcaktojnë kornizën e këtij bashkëpunimi ndahen dhe pastaj shkohet më tutje”, tha Rama. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.