Bardhi në Gramsh: Plan pune për të dalë nga kriza e gjeneruar punësim

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i PD për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi u takua me banorë të zonës Pishaj në Gramsh, ku foli për zgjedhjet që kanë përpara tyre shqiptarët të dielën e 25 Prillit.

Bardhi theksoi se kudo ka konstatuar nevojën e ngutshme për ndryshim, dhe kjo bëhet e mundur vetëm duke votuar PD, numrin 9.

“Në datën 25 çdo shqiptar do të duhet të marrë një vendim, dhe kësaj here vendimi është shumë i thjeshtë. Nga njëra anë është alternativa që ofron Edi Rama, që thotë të rrimë kështu siç jemi se jemi mirë, punë ka sa të duash po shqiptarët janë dembelë, dhe e kanë mendjen të thashethemet dhe duhet të vazhdojm, thotë ai, se nuk kemi asnjë arsye për të ndryshuar. Nga ana tjetër, ne themi se Shqipëria ka nevojë të ndryshojë prandaj kemi bërë dhe një plan pune për të dalur nga kriza ku jemi zhytur”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se më i penalizuari në këto 8 vite qeverisje ka qenë fshati. Dhe ndaj fshati është në krye të prioriteteve të planit që ka PD, për ta nxjerrë nga varfëria e për të mundësuar kushte për jetë të mirë e mirëqënie.

“Ne kemi bërë një plan pune, më së pari për të ndihmuar ekonominë, për të ndihmuar bzinesin për të gjeneruar sa më shumë vende punë, për të kthyer syte nga fshati, për faktin e thjesht se në këto 8 vite ka qënë shumë herë më i braktisur krahasuar me qytetin. Edhe pas asaj që u quajt rëndom, reformë territoriale e 2015, që hoqi komunat, praktikisht fshati ngeli pa asnjë shërbim. Ju sot paguani çdo taksë, taksë gjelbërimi, taksë pastrimi, taksë ndriçimi, taksë toke, taksë ndërtesë, të gjitha llojet e taksave. Ndërkohë që paguani, nuk merrni asnjë shërbim dhe kjo na ka bërë që ta vendosim fshatin në krye të prioriteteve”, pohoi Bardhi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.