Aeroporti i Vlorës/ Puna do të nisë menjëherë, nuk do të cenojë asgjë nga ana mjedisore

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ “Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në gjurmën e aeroportit që ka qenë aty edhe në kohën që nuk kishte zhvillim dhe nuk do të cenojë asnjë gjë nga ana mjedisore”.

Kështu deklaroi sot i ftuar në një studio televizive, Kryeministri Edi Rama.

Rama siguroi se “aeroporti do të jetë një pikë e re referimi dhe me planet që kemi shumë miqësore për mjedisin, ajo zonë do të bëhet një nga më të bukurat në Shqipëri”.

“Njerëz që do jenë kundër do ketë gjithmonë. Ne i dëgjojmë me shumë respekt, por jemi për të udhëhequr, jo për të ndjekur. Ne do i shikojmë të dyja anët e medaljes. Nuk ka hapësirë për negociata dhe do të nisë puna menjëherë. Ka disa që janë kundër, por ka edhe disa që janë pro. Zhvillimi i këtij vendi nuk do të ndalet”, tha Rama.

“Ne kemi bërë moratoriumin e gjuetisë. Një tjetër gjë e madhe, u rikthye jeta në një vend ku u bë genocid ndaj kafshëve. Deri dje digjeshin plehrat në mes të Durrësit, Elbasanit, Fierit, Tiranës”, tha Rama, duke renditur disa nga projektet e kësaj qeverie në fushën e mjedisit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.