145 mijë vaksina Pfizer nga BE/ Von der Leyen: Pranë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Edi Ramës

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur sot se 145 mijë doza vaksina “Pfizer” të financuara nga Bashkimi Europian do të jenë në Shqipëri duke nisur nga maji deri në fund të gushtit.

Në njoftimin e saj në gjuhën shqipe, Von der Leyen shprehet se jemi së bashku në këtë betejë.

“Ne jemi pranë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Edi Ramës. 145.000 doza vaksinash të financuara nga BE do të jenë në Shqipëri duke nisur nga maji deri në fund të gushtit. Jemi së bashku në këtë betejë”, – thekson Von der Leyen.

Komisioni Europian dhe Austria shpallin sot përfundimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e vaksinave COVID-19 për Ballkanin Perëndimor.

651.000 dozat “BioNTech/Pfizer” financohen nga Komisioni Europian dhe do të ndahen me ndihmën e Austrisë. Dorëzimi i parë për të gjithë partnerët në rajon pritet të kryhet në maj, me transhe të rregullta që do të vazhdojnë deri në gusht.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.