Zhvillimi i agroturizmit/ 5 mijë euro për emigrantët që hapin dyert e shtëpive të prindërve dhe amnisti fiskale

TIRANË, 19 prill/ATSH/ “Shqipëria është një vend i qëndisur nga Zoti, nga maja e maleve lart në veri, deri te fushat e bregdeti fantastik poshtë në jug. Mjafton të shikosh Pogradecin dhe ke parë një nga ato pjesë të Shqipërisë që është krijuar për të qenë një vend, ku njerëzit që kanë fatin të jetojnë aty të kenë gjithçka që i duhet një komuniteti për të qenë mirë e rritur fëmijët mirë“, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Pogradeci ku po e vijon turin e tij elektoral.

Nëse ne me durim dhe vullnet të fortë, theksoi Rama, do të vazhdojmë të ngjitemi, të jeni të bindur që vitet që kemi para do të jenë vitet e një transformimi epokal.

“Shqipëria nuk do të jetë më vendi, nga ku njerëzit do të duan me patjetër të ikin, por ku njerëzit, vajzat dhe djemtë do të kenë zgjedhjen e tyre, mund të rrinë apo largohen po në asnjë mënyrë të ikin se nuk kanë çfarë të bëjnë këtu”, tha ai.

Sipas Ramës, Shqipëria këtu e ka magjinë e saj, pasi mund të bëj turizmin detar, atë malor e të zhvillojë agroturizmin duke u dhënë mundësi të jashtëzakonshme atyre që jetojnë në zonat e fshatit dhe jo në ato zona ku ka një zhvillim bujqësor intensiv, por në ato zona ku ka natyrë të mrekullueshme, traditë dhe ku ka duar të arta.

“Nuk ka një vend tjetër më shumë se sa Mokra për të zhvilluar agroturizmin e kthyer në një zonë të brendshme të territorit, ku do të mjaftojë të hapësh derën e shtëpisë së gjyshit e të bësh një bujtinë e të shërbesh produkte të zonës”, tha Rama.

Kryeministri informoi se për të stimuluar agroturizmin qeveria ka bërë një projekt dhe ai projekt planifikon dhënien e një shume prej 5 mijë eurosh për çdo emigrant që dëshiron të investojë kursimet e bëra për të hapur derën e shtëpisë së gjyshit e kthyer në një bujtinë.

Kryeministri tha gjithashtu se për këta emigrantë do të ketë edhe amnisti fiskale.

“Do t’u japim mundësi emigrantëve të kenë një amnisti fiskale. Të vijnë ti fusin në bankë paratë e mbledhura pa kërkuar llogari vetëm me kushtin që të mos jenë para të krimit”, tha Rama.

Sipas tij, çdokush që do të marrë përsipër të bëjë këtë gjë do të fitojë nga shtëpia e gjyshit me shumë sesa do të fitonte jashtë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.