Xhaçka me gratë e vajzat e Ersekës: PS në garën me kohën për standarde e shanse për të gjithë

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Kandidatja për deputete e PS për qarkun e Korçës, Olta Xhaçka në takimin me gratë dhe vajzat e Ersekës, u shpreh se çdo votë më 25 prill është një garanci për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Teksa shpalosi të gjithë vizionin e saj për Kolonjën turistike dhe impaktin e madh që ajo do ketë në fuqizimin ekonomik të çdo familje kolonjare, Xhaçka theksoi se Partia Socialiste është rruga e vetme për t’ia arritur këtij qëllimi.

“PS sot është një luftanije që në këto zgjedhje ka përballë disa varka të vogla. Është një skuadër me një bashki që po punon si asnjëherë më parë, me kryeministrin, njeriun më vizionar që kemi pasur dhe më një kandidate për deputete e cila është një urë lidhëse shumë e mirë mes bashkisë dhe qeverisë për të sjellë të gjitha investimet dhe vëmendjen që i duhet sot Kolonjës, për ta vënë në potencialin që ka dhe për ta kthyer atje ku i ka hije.
Vota sot nuk është një qokë por është një garë mes alternativave dhe vizionit për më të mirën për vendin. Ne jemi në garë me kohën dhe me njëri-tjetrin për të bërë maksimumin që të gjithë njerëzit të kenë një shans, të gjithë të kenë një mundësi më shumë pavarësisht se me cilin kah janë. Ne jemi në garë me kohën për standarde dhe shanse për të gjithë”, u shpreh ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.