Vetingu/ Shkarkohet prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Kolë Hysenaj

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar të hënën nga detyra prokurorin e Prokurorisë së qarkut Tiranë, Kolë Hysenaj.

Mëngjesin e sotëm, trupa gjykuese e KPK që kreu vetingun ndaj Hysenajt, Pamela Qirko, Olsi Komici dhe Firdes Shuli, i komunikuan Hysenajt shkarkimin nga detyra.

Kolë Hysenaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokuroritë e Lushnjës, Kavajës dhe Tiranës. Hysenaj ishte prokuror i çështjes ndaj ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, në gjykatën e kryeqytetit.

Seanca e parë në veting për Hysenajn nisi në muajin shtator të vitit 2020, por u shty në kohë pasi KPK riçeli hetimin ndaj tij. Pas hetimit të dytë administrativ, Hysenaj rezultoi me probleme në kriterin e pasurisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.