“Tentativë për të krijuar alibinë e asaj që do u ndodhi me 25 prill”/ Meta takon subjektet e OFL-së me kapuç, mendon se e ndjekin patronazhistët

TIRANË, 19 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama tha nga Pogradeci se “kur po vija këtu më çuan mesazh të Ilir Metës, kishte mbajt një konferencë tjetër me prerje duarsh, me prerje kokash. Nuk la gjymtyrë pa na prerë”.

Rama tha se “Ilir Meta e ka kapur me patronazhistët. Nuk kam dashur që të hyj më thellë në këtë histori, se e kam ditur që do të fillojë të shfaqet që ne kemi rrjet të tërë patronazhistësh kjo nuk diskutohet. Patronazhistë janë qelizat vitale të Partisë Socialiste, që ne kemi në të gjithë territorin ketë rrjet që komunikon me njerëzit për problemet që kanë. Tani Ilir Meta thotë se janë përhapur të dhëna dhe është vënë në rrezik siguria kombëtare. Po kush i përhapi të dhënat? I përhapëm ne? Se është pyetje shumë e thjeshtë. Së pari, të dhënat tona janë shumë të ndryshme nga këto që kanë dalë, kanë tjetër strukturë, po le ta zëmë, i përhapëm ne këto? Kush i përhapi? E para. E dyta, nuk e di Ilir Meta që në 2009 kur rreshter Bujar Nishani ishte Ministër i Brendshëm e gjithë databaza e gjendjes civile ka dalë dhe është në terren dhe para 3 ditësh blihej me 15 dollarë? Bolino bëri një investigim e bleu, e ka atje. Pse i nxjerrin këto, çfarë duan të tregojnë, ku duan të dalin? Ku do të dalë Ilir Meta që u thotë njerëzve që po survejohemi, po bëhemi? Meqë ra fjala e kishin kap sot me një kapuç. Dielli shkëlqente, në një cep atje dukej Presidenti me kapuç. Natyrisht se kur takon subjekt e OFL-së do veshë dhe kapuç. Tani ai është i bindur se e kanë patronazhistët. Ai thotë ja, kjo është patronazhiste, më ndjekin mua, ato s’kanë asnjë punë me Ilir Metën, se ne Ilir Metës ia dimë mendimet një për një. Unë e di se çfarë fletë Ilir Meta edhe kur s’flet, jo më çfarë do të thotë kur hap gojën. Mjafton ta shoh, të rrijë, të mos flasi, unë të them se çfarë po mendon. Çfarë do zbulojmë ne në atë kokën e madhe të Ilir Metës? Në kuptimin e kokës së madhe siç i themi, është kokë e madhe ai, jo në kuptimin se e ka kokën të madhe, se e kam vetë më të madhe po, por çfarë do zbulojmë ne. Kjo është një tjetër tentativë për të krijuar konfuzion te njerëzit për të krijuar çorodi dhe për të vazhduar për të krijuar alibinë e asaj që do u ndodhë më 25 prill”.

“Ata, ma dëgjoni mua, mos shihni as sondazhe, mos dëgjoni as analistë, as mos e lodhni kokën fare me të gjithë këto që thuhen lart e poshtë, thjesht dhe vetëm më datën 25 kush është me çfarë thashë këto ditë të bëjë atë që mundet, patronazhist ose jo, të mos lërë njeri rreth e rrotull pa e marrë me vete pa e çuar atje tek kutia e votimit, dhe pasi të bëjmë mirë këtë do shohim se çfarë do dalë. E kam thënë 74-75 mandate dhe po ishte me shumë nuk mbaj përgjegjësi se nuk e parashikova, por më pak ta harrojnë të gjithë”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.