Tabaku me gratë sipërmarrëse: Hapim tregun, paga më të larta

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Një politikë fiskale e drejtë, trajtim nga shteti si partnerë dhe jo si armiq dhe ndihmë reale në kohë krizash, janë kërkesat që gratë sipërmarrëse i parashtruan kandidates për deputete të Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabakut.

Në një takim ku u diskutua gjerësisht mbi situatën që po përjeton ekonomia dhe biznesi dhe për programin e Partisë Demokratike, Tabaku tha se gjithçka ka ndodhur me biznesin, është rezultat i vendimeve të gabuara politike.

Gratë sipërmarrëse treguan se shteti i la në baltë në pikun e pandemisë dhe nuk mbajti premtimin as për t’i lehtësuar nga taksat.

Rritja e pagës minimale në mënyrë të pastudiuar ka prodhuar efekte negative për sipërmarrësit, u nënvizua në takim. Jorida Tabaku i siguroi sipërmarrëset ndryshime ligjore për të rregulluar të gjitha defektet që kanë prodhuar ndërhyrjet e pastudiuara të deritanishme.

Rritja e pagave për gratë është një tjetër cështje e përfshirë në programin e Partisë Demokratike që Tabaku ndau me gratë sipërmarëse.

Edhe për fiskalizimin, Tabaku ritheksoi se do të hiqet pas 25 prillit, si një tarifë korruptive që duhet të paguajnë bizneset.

Sipërmarrëset thanë se kjo do ta lehtësonte shumë biznesin.

Ajo tha gjithashtu se programi i Partisë Demokratike parashikon ndihmë me kredi me zero interes për çiftet e reja, në mënyrë që të krijojë kushte të favroshme që ata të mund ta ndërtojnë jetën në Shqipëri e të mos shohin si zgjidhje vetëm emigracionin.

Me interes ishte edhe diskutimi mbi programin e PD për turizmin.

Tabaku foli për një marrëveshje me Horecën dhe me shoqatën e operatorëve për paketën lehtësuese në turizëm.

Ajo siguroi se ndryshe nga sot që kemi TVSH 6 % në hotele me 5 yje, që konsiderohen të mëdha dhe kanë një favorizim të tillë, Partia Demokratike do ta shtrijë në gjithë sektorin këtë nivel tvsh-je, pasi nuk duhet të ketë asnjë diferencim të tillë në sektorin e hoteleri-turizmit dhe të gjithe hotelet duhet të kenë të njëjtin trajtim.

“Taksa e sheshtë 9 %, sigurimet shoqërore 18 %, 9 dhe 9 dhe fakti që ne duam të eleminojmë çdo favorizim nga ligji, çdo përjashtim nga ligji pra duam që ta hapim tregun. Kjo është në përgjithësi për të gjithë. Ju keni biznese që preken drejpërdrejt nga konsumi. Qytetarët shqiptarë e kanë të pamundur të shpenzojnë diçka se i gjithë buxheti i familjes është harxhuar o me tarifat e arsimit, o me energjinë elektrike, o me faturat e rritura të ujit, pra është një pesimizëm i përgjithshëm që ka ardhur si rezultat i vendimeve politike”, tha Tabaku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.