“Shqipëria kampione në prodhimin e një sërë produktesh bujqësore”/Të eksportojmë 1 miliard euro deri në 2025-n

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Pogradeci foli për “Planin e Veprimit 2021-2025” në fushën e bujqësisë, ku bëri të ditur se synohet që ekporti i produkteve bujqësore të arrijë në 1 miliard euro në 2025.

“E kemi nisur me 100 milionë euro eksporte, kemi arritur në 400 milionë euro dhe ajo çka kemi vendosur në planin tonë të veprimit është të arrijmë në 1 miliard euro eksporte në vitin 2025. Nuk është një ambicie e parealizueshme, por ajo që do të bëjmë“, deklaroi Rama.

Sipas Kryeministrit, sot jemi kampion në Ballkan në prodhimin e një sërë produktesh bujqësore.

“Shqipëria është prodhuesi më i madh i domates, përfshirë këtu edhe Kroacinë. Po ne duhet e do të bëhemi kampionë të Ballkanit në bujqësi. Kjo është plotësisht e mundur”, tha ai.

Shqipëria, vijoi Rama, “kur ne morëm detyrën punonte gjysmën e tokës. Kemi dyfishuar tokën bujqësore që punohet në vendin tonë. Njëkohësisht kemi ndryshuar raportin e eksporteve bujqësore. E kemi gjetur 1 me 7 dhe sot është 1 me 3”.

Kryeministri solli në vëmendje edhe rrugët e Shqipërisë që vetëm pak vite më parë ishin plot me tregtarë që shisnin produkte bujqësore.

“E keni kujtesën e rrugëve të Shqipërisë deri para pak vitesh? A ju kujtohet që në çdo rrugë të Shqipërisë shikonim tezgat që shisnin produkte në rrugë? Mbushur rrugët sikur ishin rrugët e një merkatoje bujqësore. Pse nuk i shohim më? Sepse sot prodhimi i fshtatit nuk del më rrugëve, në rrugët e dëshpërimit e mbijetesës, por grumbullohet, sepse ne në këtë periudhë kemi ngritur së bashku me sipërmarrjen rreth 140 pika moderne grumbullimi”, u shpreh Kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë, i gjithë ky transformim do të bëjë që në këtë vend të rritet nevoja për t’iu përgjigjur këtyre transformimeve, këtij fluksi eksponencialisht turistësh dhe udhëtarësh dhe agroturizmi është një bashkëshoqërues dhe Shqipëria këtu e ka magjinë dhe potencialin e madh.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.