Shqipëria eksportuese neto e energjisë/ Nga HEC-i i Skavicës tek TEC-i i Vlorës, projektet e 4 viteve të ardhshme

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Pogradeci tha se Shqipëria ka mundësinë sot që të kalojë në një fazë tjetër në sektorin e energjisë, të bëhet eksportuese neto e energjisë.

“Nga një vend i zhytur në një kaos dhe rreth vicioz, ku gjysma paguanin e gjysma jo dhe ku borxhi për shkak të atij kaosi vetëm rritej, ne sot kemi vendosur bazat që të mos importojmë me asnjë euro energji”, tha Rama.

Sepse, theksoi Kryeministri, po ndërtojmë dy parqe, një në Karavasta dhe një në Spitallë dhe janë një vlerë e shtuar në burimet e energjisë sonë që është e gjelbër.

“Kemi nënshkruar marrëveshje me qeverinë amerikane për të ndërtuar HEC-in e Skavicës, atë pjesë të munguar të kaskadës së Drinit, e cila mundëson që asnjë pikë ujë të mos derdhet, kur ka shi e pastaj mos të mungojë energjia kur ka thatësirë. Po ashtu, TEC-in e Vlorës, një investim i bërë në të shkuarën që nuk ka punuar asnjë ditë e ka kushtuar shumë do ta kthejnë në një portë të hyrjes së gazit të lëngshëm sërish me një kompani amerikane”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.