Rruga panoramike Lin-Pogradec tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë e turistë

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Pogradeci është një atraksion i përhershëm turistik ku me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, kulinarinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Investimi në aksin rrugor Lin-Pogradec në juglindje të vendit, është kthyer në një atraksion tjetër spektakolar, që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë e turistë të shumtë të vizitojnë qytetin e bukur liqenor të Pogradecit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar publikoi pamje nga rruga e ndërtuar me standardet më të mira, me sinjalistikën e nevojshme dhe që ofron lehtësi në qarkullim duke shijuar dhe pamjen e mrekullueshme përgjatë liqenit të Pogradecit.

Rruga Lin-Pogradec, tuneli panoramik, pastrimi i njërit prej plazheve më të njohura të qytetit të Pogradecit, vijimi i unazës, ndërhyrjet për investimet në rrjetin energjetik dhe rrugën fantastike të Pogradecit që lidhet me Tushemishtin, janë disa nga investime të realizuara vitet e fundit nga qeveria në zbatimin e projekteve bashkëkohore moderne që kanë rivitalizuar qytetin e Pogradecit, jetën ekonomike, sociale dhe i kanë dhënë dimension të ri turizmit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.