Rindërtimi në Shijak/ Dëshmia e Osman Rusit: Shtëpia u bë me kushte edhe më të mira dhe në kohë rekord

TIRANË, 19 prill/ATSH/ “Nuk ma merrte mendja se shtëpia do të bëhej kështu si u bë dhe në një kohë rekord”.

Kështu shprehet Osman Rusi banor nga Shijaku, shtëpia e të cilit u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në një video të publikuar nga Kryeministri Edi Rama.

“Asgjë nuk është e pamundur përballë fuqisë së pasionit tonë shqiptar për Shqipërinë”, -thekson Rama.

Ndërsa banori Rusi nga Shijaku kur nisi rindërtimi i shtëpisë tha se “data 26 nëntor e di gjithë Shqipëria si ka qenë për ne. Më janë gjendur pranë që në moment, ka ardhur bashkia më ka ndihmuar jashtëzakonisht. Jam tepër i kënaqur me punën që po bëjnë”.

Pas rindërtimit të shtëpisë i emocionuar Rusi tregon se, “shtëpia u bë në kushte edhe më të mira sesa e kisha pasur dhe në një kohë shumë rekord. Jam tepër i kënaqur, për mua kanë punuar shumë, shtëpia është 2+1, jemi katër pjesëtarë në familje. Kemi jetuar në kushte të këqija, nuk ma merrte mendja se do të bëhej kështu si u bë”.

Disa ditë më parë Kryeministri Rama tha se “deri në fund të këtij viti do të kenë përfunduar 4500 shtëpitë individuale dhe 12 mijë apartamentet do të dorëzohen në gjysmën e parë të vitit 2022”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.