Rikthimi i gjimnazistëve në klasa/ Kushi garanton: Masat antikovid do jenë në nivelin maksimal

TIRANË, 19 prill/ATSH/ “Faleminderit Komitetit Teknik të Ekspertëve për përgjigjen pozitive ndaj kërkesës sonë mbi rikthimin në bankat e shkollës të gjimnazistëve të klasave të dhjeta dhe të njëmbëdhjeta nga 10 bashkitë e cilësuara deri më tani si zona me risk të lartë infeksioni”.

Ky është reagimi i menjëhershëm i ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi pas daljes më të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Ndërkohë, ajo nënvizon se, “e kemi nisur tashmë punën bashkë me drejtuesit e institucioneve shkollore dhe zyrave vendore arsimore që masat antikovid të jenë në nivelin maksimal dhe çdo gjë të jetë gati për rifillimin e mësimit në shkollë që ditën e nesërme”.

Ministrja Evis Kushi duke falënderuar çdo mësues, nxënës e prind për durimin e treguar dhe duke uruar vetëm mbarësi në vijim për gjithsecilin, shprehet se është optimiste se ky është një hap shumë i mirë drejt rikthimit në normalitetin që të gjithë duam. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.