Rënie e rasteve të reja/ Fico: Nuk ka asgjë të ndryshme ditën e zgjedhjeve për sa i takon rregullave të parandalimit të infeksionit

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico u shpreh se ka ulje të ndjeshme të infeksioneve me COVID-19. Ajo tha se të infektuarit nuk do mund të marrin pjesë në zgjedhje. Sipas Ficos në vendin tonë kanë ardhur deri më sot mbi 700 000 doza të vaksinave antikovid.

“Mesatarja javore e rasteve pozitive ka zbritur nga 172 në 138. Incidenca javore në 108 nga 187. Ka një rritje të qëndrueshme të incidencës 2-javore në incidencën e saj të zbritjes. Numri i bashkive ka zbritur nga 36 në 33, raporti meshkuj femra mbetet 48 me 52% në raport me infeksionin, ndërsa është e ndryshuar në rastet e humbjes së jetës”, informoi Fico.

“Numri i shtrimeve në spitale deri dje ka qenë në 174. COVID3 dhe COVID 4 nuk kanë pacientë për momentin, por janë në gatishmëri të plotë. Një indeks tjetër është edhe ulja e vdekshmërisë që nga 50 një javë më para, në 25. Një ndryshim i qenësishëm ka qenë edhe rezultati i rasteve të reja në disa vende. Tirana ka një numër rastesh aktive të larta, por vihet re që po bëhet tashmë dy-tre javë që Gjirokastra, Korça dhe Berati vijnë mbrapa me numra të reja rastesh, që po mbahen në vëzhgim”, tha Fico.

Duke folur për zgjedhjet dhe faktin që personat aktivë me COVID-19 nuk do marrin pjesë në votim, Fico tha se ISHP ka përpiluar një protokoll të miratuar dhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Për personat pozitiv ditën e zgjedhjeve, edhe sikur të mos kishte zgjedhje të prekurit nuk duhet të lejohen të dalin për të vetmen arsye se krijojnë transmetim të infeksionit. Nuk ka asgjë të ndryshme ditën e zgjedhjeve për sa i takon rregullave të parandalimit të infeksionit dhe prandaj është e qartë. Ditën e zgjedhjeve s’ka asgjë ndryshe. Kush është pozitiv dhe është i karantinuar, ose kontakt pozitiv dhe i karantinuar dhe nuk mund të dalë nga ambientet e shtëpisë”,- tha Fico.

Sipas saj, janë mbi 700 000 vaksina të mbërritura deri më sot në vendin tonë.

“Pra ne jemi këtu diku tek 300 000 vaksina në dispozicion, që janë për të vijuar procesin e vaksinimit. Në vendin tonë deri më sot kanë ardhur mbi 700 000 vaksina në total. Përsa i takon çështjes së ritmit të vaksinimit, ne po monitorojmë procesin në disa dimensione. Nëse ka ulje të ritmit, vjen dhe për një arsye, Ramazani, i cili ka ndalësuar procesin, por komunitet fetare kanë bërë thirrje për vaksinim dhe gatishmëria e personelit shëndetësor është gjithnjë aty”,- tha Fico. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.