Plagosi 5 persona te xhamia “Dine Hoxha”, policia arreston 34-vjeçarin

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në xhaminë “Dine Hoxha” në Rrugën e Kavajës në Tiranë.

Policia e Tiranës bëri të ditur se “rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas”.

“Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë.

Policia sqaron se në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Imami i xhamisë “Dine Hoxha”, Ahmed Kalaja ka dënuar me forcë ngjarjen e rëndë, e cila shkaktoi frikë tek besimtarët.

“Sot pas dreke, nga ora 14:00, ka ndodhur një akt barbarie pranë xhamisë “Dine Hoxha” ku një njeri i armatosur me thikë godet me thikë besimtarët brenda xhamisë, por nuk mjaftohet me goditjen e besimtareve brenda xhamisë, por godet edhe njerëzit që ishin në rrugë. Personi është arrestuar”, tha ai.

Imami shprehet se situata është e qetë dhe nuk ka vend për t’u shqetësuar.

“Situata është nën kontroll dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe lus Zotin e madh që të shërojë njerëzit tanë që janë plagosur. Shpresoj që mos të ketë qenë ndonjë akt terrorist, por shpresojmë që të ketë qenë njëri me të meta mendore që e ka bërë një gjë të tillë. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha ai. Ai pohon se si pasojë e sulmit janë plagosur pjesëtarë të xhamisë, por dhe besimtarë, të cilët po kryenin ritet e tyre fetare. “Njerëz që duan të prishin harmoninë dhe qetësinë e muajit të bekuar, të shenjtë, e këtij muaji të madh e të begatë. Janë plagosur disa vëllezër nga stafi i xhamisë, por edhe disa besimtarë që kanë qenë duke adhuruar Zotin në ato momente”, theksoi ai.

Veliaj dënon sulmin në xhaminë në Rr. e Kavajës: Nuk përfaqëson frymën e paqes dhe të mirësisë që fal Ramazani

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dënuar me forcë sulmin me thikë ndaj qytetarëve në Rrugën e Kavajës.

Veliaj thekson se ky akt i rëndë nuk përfaqëson asnjë grimë nga fryma e paqes dhe e mirësisë që fal muaji i Shenjtë i Ramazanit, ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

“Ngjarja e sotme në xhaminë e Rr. së Kavajës është një akt i rëndë, që duhet dënuar me forcë, e nuk përfaqëson asnjë grimë nga fryma e paqes dhe e mirësisë që fal Muaji i Shenjtë i Ramazanit. Shërim të shpejtë të plagosurve, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën”, nënvizon Veliaj.

Kreu i KMSH: Organet ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në xhaminë “Dine Hoxha”.

“U informova nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në xhaminë “Dine Hoxha”. Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një person i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami. Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Personi është në duart e forcave të rendit. Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani”, tha ai.
/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.