Peqini në hartën turistike, transformim edhe të sheshit qendror/ Amnisti fiskale për kursimet e emigrantëve

TIRANË, 19 prill/ATSH/ “Ne do bëjmë atë që duhet që edhe Peqini të përfshihet në hartën e udhëtimit të turistëve dhe të përfitojë nga turistët dhe nga turizmi”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me banorët e Peqinit.

“Peqini në këto zgjedhje ka një mundësi që se ka pasur ndonjëherë se në këto zgjedhje do të çoje dy çunat e  vet në parlamentin e Shqipërisë jo një. Nga ana tjetër nuk dua t’u mbaj këtu gjatë në shi, por dua t’ju them që jam shumë i vetëdijshëm që për Peqinin ka shumë gjëra akoma për të bërë dhe në ndërkohë që gjithë ata në këtë bashki merren me tokën e kanë ndjerë mbështetjen tonë dhe çliruar nga barra e shumë shpenzimeve të tjerët presin dhe me të drejtë presin më shumë”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “keni dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve që unë kam folur për planin e madh që ne kemi për transformimin e  Shqipërisë përmes ndërtimit te 4 portave nga deti dhe 4 qielli me aeroporte dhe 4 porte të reja turistike që do të sjellin shumë më tepër turistë nga mbarë bota. Kjo do të na japë mundësinë që ta bëjmë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan dhe ta fusim në ligën europiane të turizmit”.

“Por do thoni ju, ku hyn Peqini këtu? Peqini hyn dhe ne do bëjmë atë që duhet që edhe Peqini të përfshihet në hartën e udhëtimit të turistëve që edhe Peqini të përfitojë nga turistët dhe nga turizmi. Peqini ka një kala fantastike, e cila duke u restauruar, duke u transformuar në një vend për t’u vizituar  nga të gjithë do të sjellë jo vetëm më shumë njerëz, por dhe më shumë të ardhura për njerëzit këtu”, – nënvizoi Rama.

Sepse, vijoi Rama, njerëzit që do të vijnë do duan të shkojnë diku, në një restorant, në një bar, mbase do duan të qëndrojnë deri te nesërmen, pasi në të gjithë këtë hartë ka gjëra fantastike për të vizituar.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ kjo do të bëjë që ekonomia jonë të marrë një shtysë të re dhe ju siguroj që kjo do jetë një vlerë e shtuar për ekonominë në Peqin”.

Më tej Rama tha se ne “ne do do t’i mbështesim me gjithë forcën në këto vite që vijnë të rinjtë e të rejat për tu dhënë mundësinë që të hynë në rrugën e mësimit të kompjuterit. Të gjithë kanë një celular, janë të familjarizuar me teknologjinë digjitale bazike, por duke i futur në rrjetin e kurseve të edukimit me gjuhën e kompjuterit ne do t’u japim mundësinë që ata të mund të krijojnë punën e tyre tek telefoni apo kompjuteri duke u future  në tregun e madh të shërbimeve online, që është një treg botëror dhe nuk ka rëndësi se ku jeton, je në Peqin apo në Australi, Tropojë apo Angli”.

“Edhe brenda në Peqin kemi bërë disa pune të mira me Saimirin dhe më pas me kryetarin e ri të bashkisë, por patjetër që do të transformojmë dhe gjithë sheshin qendror të Peqinit duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme referimi për ata që e vizitojnë”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “këtu ka shumë çuna, shumë familje që kanë pronë shtëpinë e gjyshit, ne do t’i japim të gjithë emigrantëve një mundësi për t’i investuar kursimet e tyre për të hapur derën e shtëpisë së gjyshit e babës për ta kthyer në bujtinë duke shfrytëzuar edhe prodhimet e zonës. Për çdo emigrant që do të dojë të bëjë këtë ne do japim 5 mijë euro dhe do bëjmë amnisti fiskale pavarësisht se ai mund t’i ketë paratë poshtë krevatit apo i ka kursyer dhe ruajtur diku. Ne do t’i japim mundësi t’i sjellë, t’i fusë në bankë dhe t’i investojë e të krijojë një biznes të vogël me tokën, me shtëpinë e babës dhe për të pasur më shumë të ardhura se sa fiton duke punuar për dikë tjetër jashtë shtetit”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.