Peleshi: Projektet për transformimin e Pogradecit në destinacion të turizmit shqiptar, të mundura me PS

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kandidati i PS-së në qarkun Korçë, Niko Peleshi tha se, “aeroporti i ri sportiv që do të ndërtohet në zonën midis Korçës dhe Pogradecit, do t’i japë një impuls të ri zhvillimit të turizmit në Pogradec, që vitet e fundit po njeh një trend në rritje të frekuentimit nga turistë dhe vizitorë të shumë”.

Gjatë takimit në Pogradec, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, Peleshi shprehu bindjen se investimet e qeverisë për ta bërë Korçën, Pogradecin, Pustecin, Devollin Kolonjën si rajonin, destinacion të turizmit shqiptar është projekt i mundur.

“Ne kemi një aset të jashtëzakonshëm, liqenin e Pogradecit, kemi një traditë në turizëm që do të shumëfishohet me projektin e ri të shëtitores së re përgjatë liqenit, ku bashkë me dy fshatrat fantastikë Linin dhe Tushemishtit, për të cilët kemi projekte gati të një zhvillimi bashkëkohor modern”, – tha ai.

“Çdo gjë fillon me një vizion, dhe ne e kemi vizionarin dhe kryevizionarin e Shqipërisë që e kemi për nder të punojmë, dhe ky është Edi Rama. Idetë e të cilit fillojnë me një vizion, ngrihen me një vizatim 3D dhe bëhen realitete. Ata çuditen me këtë gjë, sepse sa herë kanë pasur qeverinë, kanë qeverisur pa parime. Dhe sa herë e kanë dorëzuar qeverinë e kanë lënë më keq seç e kanë gjetur. Nuk duam ta kthejmë vëmendjen tek ’97, por sot është dita e llogarive”, – tha Peleshi.

“Edi Rama është ai që na mëson të ecim përpara dhe të mos të jemi asnjëherë të kënaqur me të sotmen, e të mos matemi me të djeshmen, por të matemi me të ardhmen. Por sot duhet kujtuar sesi e dorëzuan pushtetin ata pas ‘97-ës dhe si e dorëzuan në 2013-ën. Kam qenë në krah të Edi Ramës në shtator të 2013, kur nuk gjendeshin para në arkën e shtetit as për pensionet e dhjetorit. Kur e gjithë ndihma ekonomike ishte shpërdoruar në fushatën e atij vitit”, u shpreh Peleshi.

“Neve na ka caktuar historia shortin të menaxhojmë krizat dhe ta ngremë vendin. Ne kemi menaxhuar dy kriza, siç ishte tërmeti dhe pandemia. E si të mos e themi që kryeministri Rama ka shpenzuar gjithë energjitë dhe mundësitë për ta bërë Shqipërinë një vend modest, të ecte drejt vaksinimit përpara përkrah vendeve të zhvilluara?!” – tha ai.

Ai shtoi se, “sot zhvillojmë vaksinimin masiv intensiv për të mos u ndalur, deri sa për pak muaj të çlirohemi nga pandemia dhe të hapim plotësisht ekonominë, jetën kulturore, dhe shoqërore”.

“Sot kemi ardhur në një stacion të bukur se kemi lënë pas krizat, kohën e epokës së borxheve të mëdha që i gjetëm në 2013-ën dhe jemi futur në një rrugë të re, me ritëm e shpejtësi të madhe për të ecur përpara. Sot kemi mundësi të flasim për lehtësi fiskale, programe mbështetëse ndaj biznesit të vogël, të bujqësisë, pasi kemi arritur të menaxhojmë me sukses krizat që trashëguam, dhe nga ana tjetër ndërmorëm reforma që na dhanë mundësi të ringrihemi”, theksoi Peleshi.

“Çdo lehtësi fiskale vjen nga buxheti i shëndetshëm i shtetit dhe ne kemi punuar në 8 vite, ndaj sot jemi të vendosur të vazhdojmë rrugën jo për t’i dhënë vetëm 7 deputetë PS nga qarku jonë, por do të votojmë për jetën e mirë të gjithë qytetarëve, për më shumë punësim dhe mirëqenien që e garanton vetëm PS”, – përfundoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.