“Patronazhistët socialist”, Xhafaj: Janë njerëz të mrekullueshëm e të përkushtuar, respekt për simpatizantët e të gjithë partive

TIRANË, 19 prill/ATSH/- Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka qenë i ftuar në emisionin “Log” në “ABC News” ku është pyetur lidhur me temën e lakuar ditët e fundit mbi ashtëquajturit “patronazhistë”.

Xhafaj u shpreh se gëzon respekt për të gjithë kontributorët e Partisë Socialiste duke thënë se “Janë njerëz të mrekullueshëm, njerëz që vijnë nga puna të lodhur, me 100 halle dhe vijnë na bashkohen ne me shumë përkushtim.”

Ligjvënësi u shpreh se kontributorët po stigmatizohen padrejtësisht.

Ndër të tjera ai u shpreh se “ka struktura partie dhe struktura elektorale. Kjo është një përvojë ndërkombëtare, nuk e kemi shpikur por e kemi huazuar, me koordinatorë elektorale, me patronazhistë, ne i quajmë në këtë mënyrë ka vende të tjera që po i quajnë po kështu. Nuk e di si i quajnë te PD dhe LSI se nuk më ka interesuar të mësoj si i quajnë ata, nëse nuk i kanë, është dobësi për ta”.

” Ne kemi një strukturë të mirëfilltë elektorale. Ne kemi listën e zgjedhësve. Të gjitha partitë përpiqen që nga kjo listë zgjedhësish sa më shumë prej tyre të shkojnë të votojnë. Pra nëse janë 1 mijë veta në një qendër votimi, ajo strukturë elektorale që është atje, me patronazhistë, koordinatorë elektoralë tanët punojnë që sa më shumë prej tyre t’i kthejnë në votues të Partisë Socialiste. Do të thotë që ne interesohemi për të 1000 ata.  Ne do të pyesim kush janë ata, çfarë përfaqësojnë, a janë me PS me PD a janë të lëkundur, do ti kontaktojmë, do u rikthehemi përsëri, dhe krijojmë një database tonën. Ajo që ju quani skandal unë e quaj një organizim perfekt i PS. Po stigmatizohen në mënyrë të padrejtë, në mënyrë të paturpshme të gjithë këta njerëz që japin kontributin e tyre, ata japin një kontribut të ligjshëm, nuk mund të fyhen me ato epitete që përdoren.  Ata bëjnë një punë të nderuar, i shërbejnë një procesi elektoral. Unë kam respekt për militantët e të gjitha partive, cilido qofshin ata, mjaft që ata të jenë të përgjegjshëm dhe ta kryejnë përgjegjësinë në kufirin e ligjit”, tha Xhafaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.