Mozaiku i Tiranës/ Gërmimet nxjerrin në dritë vazhdimin e mureve të ambienteve ndihmëse të vilës romake

TIRANË, 19 prill /ATSH – B. Naska/ Ministrja e Kulturës Elva Margaritiu shpreh sot gjatë një inspektimi në sajtin kryesor arkeologjik të kryeqytetit, se kanë ndodhur zbulime të reja në zonën e Mozaikut të Tiranës.

Margariti bëri të ditur se me kërkesën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë dhe pas miratimit të projektit të hartuar nga DRTK dhe ASHA nisën sondazhet arkeologjike në dy trase përreth zonës së Mozaikut, në anën perëndimore të tij.

“Si rezultat i gërmimeve kanë dalë në dritë vazhdimi i mureve të ambienteve ndihmëse të vilës romake (fundi i shek. III- fillimi i shek. IV), që përdoreshin për fermentimin e verës, e bashkë me të edhe një kanal i largimit të ujërave. Të tjera gërmime pritet të kryhen në anën jugore”, u shpreh ajo.

Pas hartimit të raportit të rezultateve të dala nga sondazhet, rasti do të shqyrtohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, ku do të vendoset nëse do të ketë gërmime arkeologjike të mëtejshme.

Mozaiku i Tiranës identifikohet si një pjesë e rëndësishme e kulturës së kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Ky projekt ka për qëllim ta bëjë këtë pikë të vizitueshme dhe t’i kthehet sërish banorëve të Tiranës dhe vizitorëve.

Zbulimi i këtij mozaiku u bë gjatë periudhës komuniste ku në vitin 1972 u mor vendimi për t’u ndërtuar një bllok banimi dhe rastësisht doli në pah kjo vepër e mrekullueshme. Ky mozaik përmban motive floreale dhe gjeometrike gjithashtu edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, sikurse janë gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit. Mozaiku gjithashtu është shembull shumë domethënës i lashtësisë urbane të këtij territori. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.