MOSKË – Rusia reagon pas dëbimit të diplomatëve të saj nga Republika Çeke

MOSKË/PRAGË, 19 prill /ATSH-DPA/ – Rusia ka dëbuar 20 punonjës të ambasadës çeke në Moskë si hakmarrje për dëbimin e mëparshëm të 18 diplomatëve rusë nga Republika Çeke, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.

Sipas palës çeke, personat në fjalë janë 16 diplomatë dhe katër punonjës të ambasadës pa status diplomatik. Ata duhet të largohen nga Rusia brenda së hënës.

Republika Çeke dëboi 18 diplomatë rusë të shtunën për akuzat se Rusia ishte përfshirë në shpërthime në një depo municionesh në 2014.

”Rusët janë identifikuar si anëtarë të shërbimeve të inteligjencës SWR dhe GRU të vendit të tyre”, theksoi ministri i Brendshëm Çek, Jan Hamacek.

Rusia hodhi poshtë këto pretendime, duke e quajtur masën një “vendim të paparë”.

Të dielën në mbrëmje, sipas agjencisë së lajmeve TASS, ambasadori çek u thirr në Ministrinë e Jashtme për një takim 20-minutësh. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.