Meta publikon denoncimin e sipërmarrësit: Patronazhistët survejojnë qytetarët, kanë ngacmuar dhe vajzën time të vogël

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për shtyp publikoi rastin e një biznesmeni, i cili pretendon se gjobitet pasi ka nxjerrë foto të një politikaneje dhe një thënie të saj.

Meta tha se biznesmeni kishte qenë i pranishëm gjatë një takimi me operatorë turistikë në maj të 2020-ës në Presidencë, ku kanë kërkuar lehtësi për çështjen e pandemisë dhe vetëm dy javë pas takimit është vënë nën survejim dhe i kanë nisur gjobat e paligjshme.

Erion Mane, pronar i ‘Mattias Travel’ ka publikuar ditën e sotme në presidencë bisedat që ka zhvilluar me Blendi Gonxhen, drejtues i DPSHTRR-së, i cili në fund të bisedave mes tyre i ka dërguar një foto të postuar nga Erion Mane në Facebook, ku mbështeste Monika Kryemadhin. Sipas tij nga patronazhistët ai rezultonte mbështetës LSI-së.

‘Do thoni ju pse unë ju drejtova presidencës, i jam drejtuar drejtorisë përkatëse, por mora informacione negative. Më 12 maj 2020 pas një takimi të organizuar në presidencë kemi bërë një takim në presidencë në lidhje me vështirësitë e këtij sektori. Pas këtij takimi, në qershor, unë marr çdo ditë të shtunë gjoba të herë pas hershme nga autoritetet rrugore. Ky ishte një ligj i rrëzuar. Më kanë thënë që t’u drejtohem gjykatës, por ka një problem pasi në gjykatë zgjat 3 ose tre muaj dhe më bie të rri pa punë për aq kohë. E njëjta situatë më ka ndodhur të shtunën. Vetë polici rrugor i thotë që kjo licencë nuk ekiziston më. Personi që i jepte urdhra i thoshte më dërgo gjobën me foto në Whatsapp. Deri këtu e lash me kaq për tu marrë vetë me këtë çështje dhe pastaj kam takuar Blendi Gonxhen. Ky është Blendi Gonxhe, (Tregon SMS-të) për tu qetësuar dhe vetë i shkruaj në mëngjes’- tha Mane.

Blendi Gonxhe i ka thënë gjatë bisedës se ai nuk ka pse ti paguaj, pasi këto janë gabime të policisë dhe se do t’i krijonte lehtësi për zgjidhjen e rastit.

Gonxhe: Jo nuk duhet të paguash asnjë lekë! Mos paguani asgjëkundi, do vij personeli me ty për të marrë letrat.

Pas kësaj, Mane ka falenderuar Gonxhen, ndërkohë që ky i fundit i ka dërguar në mesazh një foto të postimit të tij në Facebook, ku kishte publikuar një mesazh mbështetës për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin.

‘Kam postuar një foto të Monika Kryemadhit dhe më tha s’ka gjë edhe pse për ty ne jemi një ‘gjethe e kalbur’. Ngela shumë i ofenduar më këtë pjesë. Ai më thotë ‘I ke shkruar kujt po punon të ndreqë baltën tuaj. GJ.M.’ dhe nga ky moment më ka bllokuar.

Pas këtyre gjërave fillojnë të vijnë në formë të qeshure, informacionet për të gjithë familjen time nga patronazhistët. Tek të dhënat e babait është numri i telefonit tim. Patronazhisti Erando Pengili. Fotoja që kisha vënë në ‘Facebook’ ishte e para 2-3 muajve, ndërsa screen shot, thoshte para 2 orësh, që do të thotë ishte bërë më herët.

Pasi nuk mora përgjigje, iu drejtova presidentit. Do kërkoj dhe mbështetjen e ambasadorëve për të marrë azil politik. Jam i rrënuar gjatë gjithë kohës për gjëra që nuk më takojnë. Nëse unë dua të postoj një foto të kryeministrit është e drejta ime, po ashtu dhe të Presidentit dhe të çdo njeriu në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi biznesmeni.

Meta e konsideroi një situatë skandaloze, ndërsa mori në mbrojte sipërmarrësin. “Që nga ky moment Erjon, të kam në besën time. Çdo gjë që të ndodh ty e kam personale me bablokun e Rilindjes”, tha ai.

Sipas Metës, kjo tregon se si patronazhistët ndjekin dhe survejojnë qytetarët e Shqipërisë që bëjnë postime kundër qeverisë apo pro opozitës.

“Dhe më pas ua shpërndajnë drejtorive të partisë-shtet dhe përmes tyre u krijohen pengesa të paligjshme duke ua bërë jetën të pamundshme, që ose t’i dorëzohen Rilindjes e të bëhen skllevër të saj, ose të largohen nga Shqipëria dhe të falimentojnë“, tha Meta.

“Ne do ta zgjidhim, por pas një orë e gjysëm te qendra e përpunimit të të dhënave në partinë shtet. Ky ka bërë postim Monikës, këtij atij. Fakti që ai zotëria, drejtori i shtetit i tregon këtij një postim. Kjo gjë çfarë ndodh. Fotografohet çdo postim i qytetarëve, shkon në një zyrë shtetërore, aty ky do të mbytet me gjoba, ose përndryshe do të përzihet nga Shqipëria dhe të vijnë ata nga Bangladeshi. Do kërkoj hetimin e kësaj çështje. Është çështje shumë e rëndë. Jam shumë i zhgënjyer nga zoti Gonxhe. Ai në një studio më quajti horr përse kisha reaguar që një punonjës policie dhunonte një anëtar të FRD-së. Të dashur sipërmarrës të Republikës së Shqipërisë, deri kur do të vazhdoni të jetoni në shantazh dhe presion? 10 mijë fuksa janë shtuar në vitin e fundit në administratën shtetërore. 100 mijë vende pune janë mbyllur në Shqipëri nga falimentimi i sipërmarrjes. Nesër do të bëjmë padinë. Erionit që sot do t’i vë një nga shoqëruesit e mi të rrijë me të, sepse më i survejuari jam vetë. Patronazhistat duke më ditur pikat e dobëta, më ngacmojnë dhe vajzën e vogël, që e kam pikë të dobët”, deklaroi Meta.

Presidenti Ilir Meta po ashtu është shprehur se patronazhistët nuk kanë kursyer as vajzën e tij të vogël duke i nisur mesazhe.

“Patronazhistët më ngacmojnë edhe vajzën e vogël dhe i kishin çuar një lajm sikur unë kisha sulmuar gocën e zotit Damian dhe ajo më thotë “mos pi më, mos u merr me gruan e tjetrit”, dhe i kishin çuar lajmin “ta marr vesh Damiani me Gruan e tij”, unë thashë me “Gurunë”, se unë nuk jam mësuar të merrem me gratë e tjerëve apo shokët, i çojnë gocës lajme: thuaj babit të qetësohet, të ruajë figurën e presidentit”, tha Meta.

Meta e ka quajtur “rilindja e fuksave” mazhorancën. Ai në fund garantoi dhe një herë biznesmenin denoncues, Erion Mane se për të gjitha pasojat që mund t’i vijnë atij ose familjes së tij nga ky akt denoncimi do të përgjigjet Presidenti Meta.

“Unë tani duhet të iki pak në Elbasan. Le të mërziten armiqtë e Shqipërisë. Boll janë raskapitur sipërmarrësit shqiptarë. Kanë humbur 100 mijë vende pune. Ky është kulmi. Të kërkosh të vijnë nga India nga Bangladeshi, se shqiptarët janë thashethemexhinj. T’i hysh tjetrit në krevat, jo fare s’është thashethemexhinj. Fajin e paska gjuha shqipe. Gjuha për të cilën u vranë gjithë ata rilindas për të krijuar shtetin. Rilindja e sotme është rilindja e fuksave. Rilindja e vërtetë është ajo e Petro Ninit Luarasit, i cili u tha shqiptarëve: ‘kur të më vrasin mblidhni gjakun dhe jepuani fëmijëve të shkruajnë gjuhën’. Jemi shqiptarë, nuk jemi shqipfolës. Jemi shqiponja dhe jo sorra. Për të gjitha pasojat që do të kesh nga ky akt, detyrimet ndaj teje dhe familjes tënde i kam unë”, theksoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.