Lehtësimi i barrës fiskale në kushtet e pandemisë/ Bizneset nuk paguajnë tarifën e zënies së hapësirës publike deri në shtator

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore e bashkisë së Tiranës bëri të ditur se ka lehtësuar barrën fiskale për biznesin e vogël në kushtet e vështirësisë që krijoi pandemia Covid-19.

Në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak “Për krijimin e lehtësirave fiskale ndaj biznesit për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19″, subjektet e regjistruar në sistemin informatik të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore njoftohen për disa ndryshime:

Përjashtimin nga pagesa e detyrimit të tarifës së zënies së hapësirës publike për periudhën prill – shtator 2021, për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e bar, restoranteve dhe hoteleve të klasifikuara si “biznes i vogël”.

Shtyrja e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për të gjithë subjektet me aktivitet tregtar nga data 20.04.2021 në datën 20.05.2021.

Shtyrja e afatit të pagesës për këstin e parë për taksën mbi pasurinë (taksë ndërtese, tokën bujqësore, truall) nga data 20.04.2021, në datën 20.05.2021. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.